“Do ta lidhim Tepelenën me detin”. Ky ishte premtimi i Kryeministrit Edi Rama sot në Tepelenë, ku foli për projektin e rrugës, Gusmar-Kuç, një aks me standarde që do të lidhë gjithë këtë zonë me bregun.
Po ashtu, kryeministri Edi Rama siguroi se do të bëhet by pass-i i madh i Tepelenës, një infrastrukturë e madhe kombëtare e cila fillon në fillim të vjeshtës.
Rama tha se, “ky është një investim i konsiderueshëm që ka një implikim të drejtpërdrejtë në rrugët dytësore që lidhin Tepelenën me rrugë kombëtare”.
“Do të vazhdojmë të bëjmë ndërtimet me Qafën e Pazarit, do të ndërtojmë by pass-in e brendshëm dhe do ta kthejmë në zonë këmbësore gjithë pjesën e qendrës. Do të ndërtojmë infrastrukturën dhe do të vazhdojmë të nxisim perspektivën e agroturizmit rreth e rrotull”, tha Rama, duke folur për projektet që do të zbatohen në Gjirokastër.
Po ashtu, ai theksoi se do të vazhdohet puna me projektin e kalasë së Ali Pashës, një nga atraksionet më të rëndësishme turistike./ATSH/