Rruga deri tek deponia Rusino mbet e pa asfaltuar për më shumë se 3 kilometra. Përveç kamionëve, makinat normale vështirë të kalojnë deri tek deponia. Por edhe pse nuk është përfunduar, ministri i Vetëqeverisjes lokale Goran Milevski, bashkë me kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifin dhe kryetarin e Gostivarit Arben Taravarin, shkuan për të përuruar fazën e parë të punimeve.
“Ministria ka ndarë 24,5 milion denarë për ndërtim të kësaj rruge. Është e ndërtuar gjysma e rrugës, 5 kilometra. Shpresoj se deri në vitin e ardhshëm ministria do ta përfundojë financimin e këtij projekti. Paralalisht kemi ndarë mjete për dokumentacion të një projekti. Bëhet fjalë për një rrugë alternative, rrugë e cila do të shkojë direkt deri në magjistralen Kërçovë kah deponia Rusino”, deklaroi Goran Milevski, ministër i Vetqeverisjes Lokale.
Arifi thotë se ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët të komunave dhe vetëqeverisjes lokale.
“Me përfundimin apo para përfundimin e punimeve në rrugën drejt deponisë Rusino, është një projekt i marrëveshjes së të gjitha komunave të Pollogut ne të gjitha komunat ishim dakort këto fonde të cilat i kishim t’i bashkonim të gjithë në një qëllim apo në një projekt të përbashkët”, u shpreh kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kryetari i Gostivarit thotë se ky projekt është dashur që moti të fillojë dhe të përfundojë kërkesa e vazhdueshme e banorëve të kësaj ane.
“Një projekt i përbashkët i pushtetit lokal bashkë me pushtetin qendror dhe me ndërmjetësimin e byrosë për zhvillimin e një projekti që moti është dashur të kryhet, me kërkesa të banorëve lokal e dini se deponia Rusino është si deponi rajonale që i përfshin 9 komunat që gravitojnë në Komunën e Pollogut”, tha Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Një investim prej 26 milion denarëve nëpërmjet programit për zhvillim rajonal dhe kofinancim nga komunat e rajonit të Pollogut. Pritet që vitin e ardhshëm të vazhdojë edhe faza e dytë e punimeve për të përfunduar ky projekt. Gjatësia e rrugës së asfaltuar është dy kilometra./TV21/