Bora që ka rënë këto ditë në Kosovë, ka bërë që shumë rrugë, sidomos në pjesët rurale të bëhen të pakalueshme.
Në komunën e Novobërdës, përkatësisht rruga që çon në fshatin Vllasali, është bërë e pakalueshme për banorët.
Bora e fundit që ka rënë, ka vështirësuar kalimin.
Banorët e kësaj komune janë ankuar, pasi thonë që përkundër thirrjeve nga ana e tyre për pastrimin e rrugës, komuna nuk ka shprehur interesim për pastrimin e rrugës.
Ata thonë se edhe pse dimër ka turistë që vizitojnë Kalanë e Novobërdës, e bukuri të tjera natyrore.
Një lexues i Telegrafit ka dërguar fotografi të një veture i cila ka treguar se është e disa turistëve dhe si pasojë e borës ka rënë poshtë rrugës.
Bajram Vllasaliu, banor i fshatit Vllasali, i ka thënë Telegrafit se ai me disa banorë të tjerë me mjete vetanake u kanë dalë në ndihmë turistëve duke e nxjerrë veturën nga gremina.
” Ne me mjete tona, çka kemi pasur mundësi kemi dalë dhe i kemi ndihmuar turistëve. Gjendja e rrugës është e keqe, sepse ka borë shumë dhe vështirë me kalu. Kemi thirr disa herë komunën e Novobërdës, nuk na kanë lajmëru, gjithashtu edhe zjarrfikëset, por ata na kanë thënë se një kamion që e kemi, është prishur”, është shprehur Bajrami.
Ndërkaq, lidhur me këtë, Telegrafi ka tentuar të flasë me komunën e Novobërdës, por nuk ka mundur të marrë përgjigje.