Qeveria e Kosovës edhe më tej vazhdon të mbajë sekret çdo detaj lidhur me autostradën. Të dhënat e përafërta rreth kostos dhe trasesë nga do të kalojë ajo, në mënyrë të përgjithshme, janë dhënë qysh para shumë kohësh, por zyrtarë nge Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit ngurrojnë të japin të dhëna më të detajuara.
Konsorciumi turko-amerikan “Betchel & Enka” e nënshkroi kontratën me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e autostradës, e cila fillon nga pika kufitare në Morin, por, zyrtarisht, nuk dihet ku do të përfundojë. Disa thonë se ajo do të përfundojë në fshatin Besi të Prishtinës, por ka të tillë që thonë se do të shkojë deri në pikën kufitare me Serbinë, pra në Merdar. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që kjo autostradë të mbetet te udhëkryqi i fshatit Arllat, ku lidhet me rrugën magjistrale që shkon në drejtim të Pejës.
Lënia pezull e çmimit dhe e kahut nga do të shkojë ajo, të lë një fije dyshimi për një konflikt të hapur interesi. Kontrata nënshkruhet për një autostradë, e cila përfundimisht nuk dihet nga do të shkojë dhe as ku do të përfundojë. Për interesa, ndoshta edhe personale, zyrtarë nga Qeveria tentojnë ta orientojnë kahun e autostradës nga komuna e Malishevës: një trase komplet e re, e cila u krijon qasje rreth 65 mijë banorëve të komunës së Malishevës dhe rreth 76 mijë banorëve të komunës së Rahovecit, dy komuna relativisht të varfra në aspektin ekonomik. Ndoshta, nëpërmjet realizimit të këtij projekti, ministri Fatmir Limaj synon t’i ndihmojë bashkëvendësit me “blerjen”e tokave nga do të kalojë autostrada, por edhe t’u krijojë vende pune, sepse banorët e asaj ane njihen si mjeshtër të mirë. Ndërkaq, i lë anash komunën e Shtimes, atë të Lipjanit, por edhe komunën e Ferizajt, e cila llogaritet qendra më e fortë e tregtisë në Kosovë.
Devijimi i rrugës nga komuna e Malishevës në masë të madhe e vështirëson transportin e mallrave, sepse për të bartur mall nga Maqedonia deri në Prizren duhet ta ecësh tërë Kosovën. Përpos devijimit, është shqetësues fakti se ky projekt, jashtëzakonisht i rëndësishëm zhvillimor, i kalon përmasat e vendimeve të rëndomta të një qeverie, andaj është dashur të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.
Por, siç është bërë zakon, punët e mëdha i kryen Qeveria, ndërkaq me ato të voglat merret Kuvendi, sa për ta arsyetuar pagën që marrin deputetët nga taksat e popullit.
Deri tash, paqartësitë janë tepër të mëdha, duke përfshirë jo vetëm burimet e financimit, por edhe të gjitha vendimet që janë marrë në lidhje me këtë projekt nacional, sepse nga fillimi e deri tash nuk ka pasur transparencë.
Ndoshta as vetë zyrtarë të Qeverisë nuk e dinë ku do t’i marrin mjetet për ndërtimin e saj.
Kosova nuk ka buxhet të vetin për t’u futur në këtë rrugë. Por, para pak kohësh ka nënshkruar aranzhmane për kredi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore. Tash i ka mbetur vetëm një mundësi për t’i shpenzuar mjetet e grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, apo marrja e kredive, për ta thelluar edhe më tej vendin në borxhe në ndonjë institucion financiar.
Askush nga zyrtarët e Qeverisë nuk e di si do të realizohet kthimi i kamatave, nëse Kosova merr kredi për ta ndërtuar këtë autostradë.
Zyrtarët nuk e dinë koston e riparimit të shumë urave, mbikalimeve e nënkalimeve që do ta përcjellin këtë autostradë.
Askush nga ata që e kanë nënshkruar kontratën nuk e ka përllogaritur koston e mundshme reale të realizimit të këtij projekti. Por, këta zyrtarë janë ngutur për të nënshkruar kontrata, nga të cilat mund të përfitojnë direkt, sepse realizimi i duhur i projekteve i lë xhepzbrazur.
(Autori është redaktor i Ekonomisë në gazetën “Lajm”)