Rruga e cila është afër lokacionit ku është paraparë ndërtimi i një parku në fshatin Cervik të Klinës është shndërruar në deponi mbeturinash.
Komuna e Klinës ka njoftuar për ndërtimin e një parku në fshatin Carivik, e cila ishte kërkesë e kahmotshme e qytetarëve. Por vetëm pak metra larg nga është përcaktuar ndërtimi i këtij parku që parashihet të jetë projekti më i kushtueshëm për komunën, gjendet rruga “UÇK”, e cila është e përfshirë nga mbeturinat tash e 15 vite.
Në redaksinë e Telegrafit kanë arritur disa fotografi nga një qytetar, të cilat tregojnë gjendjen e krijuar nga mbeturinat e hedhura rrëzë rrugës.
“Si pasojë e këtyre ka ardhur edhe deri tek ngushtimi i rrugës”, shprehet banori i kësaj zone, për Telegrafin.
“Ai vend është tash e 15 vite i mbushur me mbeturina, rreth një kilometër është e mbushur në të dy anët e rrugës me mbeturina sa që edhe rruga ka filluar të ngushtohet nga to”, është shprehur banori i fshatit Carivik.
Ai gjithashtu ka theksuar se ka pak shpresa që komuna me anë të këtij projekti për ndërtimin e parkut mund të përfshijë edhe rrugën. Qytetari ka përmendur iniciativat e fshatarëve për pastrimin e fshatit nga këto deponi ilegale.
“Nuk besoj se e pastron me këtë projekt, nuk e kanë pastruar që 20 vite askush. Një bashkëfshatar i yni me mjetet e tij vetanake e ka pastruar një pjesë shumë të madhe”, ka përfunduar ai.
Sipas qytetarit, kjo rrugë është mjaft e rëndësishme ngase lidhë Klinën dhe Skenderajn.
Vlen të theksohet se Komuna e Klinës është duke implemetuar projektin për rregullimin e hapësirave publike në disa fshatra.