Përkundër që muajin tetor, kishte vazhduar asfaltimi i pjesës së dytë të rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë, tanimë punimet thuajse janë stagnuar.
Përveç kësaj, pjesa e rrugës në të cilën pritet të asfaltohet, është bërë pothuajse e pa kalueshme për shkak të pusetave që ndodhen njëra pas tjetrës.
Sipas banorëve, në dhjetëra raste automjetet kanë rënë në pusetë pasi as nuk janë të mbyllura e po ashtu nuk posedojnë shenja të lajmërimit.
Lidhur me zvarritjen e punimeve të “Muharrem Fejza”, banorët e kësaj lagjeje disa herë kishin protestuar për vonesa nga ana e Komunës së Prishtinës.
Banorët madje kishin paralajmëruar edhe padi ndaj komunës për vonesat në rregullimin e kësaj rruge që kishte filluar shumë moti.
Kjo rrugë kishte nisur punimet që nga 27 prilli i këtij viti, por procesi i punës kishte shkuar tejet ngadalë.
Në këtë rrugë përveç gypave të Ujësjellësit, e atyre të “Termokosit”, janë vendosur edhe kabllot e KEDS, PTK-së.
Kosto e punimeve të kësaj rruge janë 700 mijë euro.
Sipas kontratës, kjo rrugë është parapa të kryhet për 120 ditë./Telegrafi.