Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin në mekanizmat tjerë financiarë ndërkombëtarë pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Institucionet e Kosovës tashmë janë duke bërë përgatitje për të aplikuar për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara GAP, thotë se mosrespektimi i marrëveshjes me FMN-në nga pala kosovare, do të jetë argument shtesë që disa nga shtetet anëtare të këtyre institucioneve të hezitojnë të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës.
“Kjo e dëmton kredibilitetin e Kosovës edhe në organizmat tjerë, siç janë BERZH-i dhe OBT-ja. Në planin e punës së qeverisë në këtë vit parashihet që ekzekutivi të dorëzojë kërkesë formale për anëtarësim në BERZH. Prishja e marrëveshjes së FMN-së do të shërbejë si argument shtesë për shtetet, të cilat janë duke u luhatur për ta dhënë votën pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm”, thotë Demi.
Nagip Skënderi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, u bën thirrje autoriteteve kompetente të rikthejnë besimin te FMN-ja. Në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të jenë evidente.“Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt ta rikthejë besimin në FMN, përmes masave ose vërejtjeve eventuale që do t’i paraqesë ky institucion. Ta rikthejë besimin, sepse anëtarësimi në FMN është i domosdoshëm edhe për anëtarësim në mekanizmat tjerë financiarë”, thotë Skënderi.
Në ueb-faqen e Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se gjatë misionit, personeli dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel mbi Programin e Monitorimit të Personelit, sipas së cilës, do të krijohet një mekanizëm përcjellës, që mund të çojë në një marrëveshje të mbështetur nga FMN-ja në vitin 2012.
FMN, të mërkurën, ka njoftuar se marrëveshja 18-mujore me Kosovën, e cila ishte arritur nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, është ndërprerë më 2011. /Rel/Telegrafi/