Rruga që lidh zonën e bukur të Lunikut, me qytetin e Librazhdit dhe rrugën kombëtare, duke hapur një perspektivë të re zhvillimi për krejt këtë zonë të pazbuluar të Shqipërisë, ku natyra e mrekullueshme dhe traditat e çmuara janë një bazë e sigurt për zhvillimin e agroturizmit, do të jetë gati në fillim të muajit prill.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se pas Rrugës së Arbrit që lidh Dibrën me Tiranën, tashmë dibranët do të mund të lidhen përmes një rruge të re edhe me Librazhdin, për të dalë në Pogradec në një kohë të shkurtër.
“Dibranët tani do të dalin edhe te liqeni i Pogradecit, me shpejtësi të madhe”, deklaroi Rama gjatë inspektimit të punës në tunelet që lidhin Elbasanin me Librazhdin, ku e pranishme ishte edhe zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku informoi se kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm turistik. Sipas saj, banorët kanë nisur edhe ngritjen e agroturizmeve.
“Do të jetë e vizitueshme nga Tirana, Durrësi dhe qytete të tjera, pasi po lidhet përmes Korridorit 8 me të gjitha autostradat e tjera”, tha Balluku. /Telegrafi/