Telegrafi

Rruga e parë me teknologji të karikimit pa tela për automjetet elektrike po ndërtohet në Gjermani

Gjermania ka nisur zbatimin e projektit të rrugës së parë publike të pajisur me teknologji për karikimin pa tela të automjeteve elektrike, përfshirë veturat komerciale dhe të pasagjerëve. Qëllimi i parë është karikimi i autobusit elektrik që shkon në itinerarin për në qytetin e Ballingenit.

Kompania e madhe Electreon, e cila zhvillon karikimet me valë për automjetet elektrike, u zgjodh si furnizues. Teknologjia induktive e Electreon tashmë ka fituar çmime dhe është një nga metodat më miqësore me mjedisin, më të shkallëzuara dhe tërheqëse të karikimit.

Kjo teknologji i ngarkon bateritë e automjeteve në mënyrë dinamike dhe statike, domethënë kur ato janë në lëvizje dhe kur janë në këmbë. Kjo gjithashtu zvogëlon nevojën për kapacitetin e baterisë, eliminon shqetësimet e diapazonit, ul koston totale të pronësisë dhe automjetet elektrike ngarkohen shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Electreon punon me ndërmarrjet komunale dhe operatorët e flotës për të mundësuar që flotat publike, komerciale dhe vetëdrejtuese të shndërrohen në elektrike me kosto të ulët dhe pa ndërprerje.

Në bashkëpunim me një ofrues kryesor gjerman të infrastrukturës së karikimit të automjeteve elektrike të quajtur EnBW, Electreon do të instalojë një Sistem Rrugor Elektrik (ERS) përgjatë një rruge prej një kilometër. Duke marrë parasysh stacionet e autobusëve do të vendoset edhe se ku do të vendosen dy stacionet statike të karikimit.

Teknologjia do të prezantohet në dy faza, e para përfshin një pistë 400 metra të gjatë me dy stacione statike karikimi dhe në fazën e dytë do të shtohen edhe 600 metra gjatësi të “rrugës elektrike”.

Ky plan vjen pas testimit të suksesshëm të teknologjisë së Electreon në Karlsruhe, i cili u krye në partneritet me kompaninë EnBW. Rruga e elektrizuar u ndërtua në objektin e testimit të EnBW, i cili furnizon me energji një autobus publik aty pranë gjatë orëve të pikut. Si pjesë e marrëveshjes, Electreon do të marrë deri në 3.2 milionë euro për këtë projekt në Ballingen për të ngritur infrastrukturën për karikim statik dhe dinamik me valë. /Telegrafi/