Kryeministri Thaçi tha se Rruga e Kombit është projekt i Kosovës Europiane. “Kjo që pamë sot është me të vërtetë një mrekulli për Kosovën e re. Ky është projekti i Kosovës evropiane dhe vijat që bëmë sot në autostradë këtu janë vijat që e ndajnë epokën e moszhvillimit me atë të modernizimit, me atë të Kosovës evropiane që po e ndërtojmë. Prandaj, i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë projekt madhështor, më modernin në rajon, një projekt ky i cili jep kuptim ndërtimit të shtetit tonë, i jep kuptim modernizimit, i jep kuptim vizionit tonë për Kosovën evropiane. Edhe një herë i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë njerëzit për këtë projekt madhështor në Republikën e Kosovës”, theksoi Thaçi.
Ai ka pohuar se tani janë të gjitha përgatitjet për fazën përfundimtare, kanë mbetur aspekte teknike që ta përmbyllim këtë projekt i cili do të përurohet më datë 25 nëntor të këtij vitit. “Pra, po përmbyllim autostradën që e kemi filluar në Vërmicë deri këtu në Besi për të vazhduar tjetrën menjëherë autostradën nga Prishtina në drejtim të Shkupit, por natyrisht duke vazhduar edhe lidhjen tjetër me korridorin evropian nga ky drejtim në drejtim të autostradës së korridorit që i lidh me vendet tjera të rajonit”, tha kryeministri.
Ndërsa, drejtori i projektit, Chris Jennions, ka thënë se po ndihet mirë për përfundimin me sukses, siç ka thënë ai, të këtij projekti. “I shihni janë momentet e fundit. Janë edhe dy apo tri javë punime kritike për t’u bërë dhe ne do jemi në gjendje ta dorëzojmë pastaj para përfundimit të vitit projektin ashtu siç kemi premtuar”, tha Jennions.
Seksioni i nëntë, të cilin e vizitoi kryeministri Thaçi sot, është edhe seksioni i fundit i “Rrugës së Kombit”, i cili siç u tha edhe sot, pritet të kryhen pas rreth dy javësh. /Telegrafi/