E përfolur për mungesë të elementeve të sigurisë, “Rruga e Kombit” pritet të ketë edhe taksën e saj për mirëmbajtje.
Qytetarët e Kosovës, të cilët janë të shumtë në numër që e frekuentojnë këtë aks rrugor, janë pro dhënies me koncesion të “Rrugës së Kombit”, ndërsa vendimi që pritet të marrë Qeveria e Shqipërisë për taksimin e kalimit në autostradë është pritur mirë. Ata shprehen se pavarësisht kostos, pagesa e kalimit në autostradë do të sillte mirëmbajtje të rrugës dhe më shumë siguri në trafik, njofton transmetuesi publik.
Por, edhe në këtë sezon turistike asgjë nuk do të ndryshojë për pushuesit nga Kosova sa i përket pagesës rrugore, ka deklaruar komisari i policisë rrugore të Shqipërisë, Sokol Zefi.
Ndryshe, pagesa në “Rrugën e Kombit” , sipas njoftimeve të Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë, do të jetë 5 euro për automjet.
Vetëm në 2015-ën, sipas të dhënave të Policisë Kufitare në Morinë, janë regjistruar pesë milionë e 412 mijë e 238 hyrje-dalje të personave dhe një milionë e 849 mijë e 987 hyrje-dalje të automjeteve.