Telegrafi

Rruga e Kombit bëhet me pagesë

Sipas Martin Dasek, drejtues i financimeve për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, prej kohësh po punohet për gjetjen e një varianti të duhur për mirëmbajtjen e rrugës dhe pagesa e taksës është e pashmangshme.

“Me qeverinë shqiptare, IFC-ja ka realizuar projekte të rëndësishme dhe me rezultate pozitive, siç ishte privatizimi i OSSH-së. Edhe në fushën e aktivitetit privat, IFC-ja ka dhënë kontributi tepër të vlerësuar, si projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës. Së fundmi po punohet për dhënien me koncesion edhe të rrugës Durrës-Kukës. Një ekip i IFC-së po shqyrton taksat që duhen paguar për mirëmbajtjen e autostradës”, tha Dasek për Shqip.

Mirëmbajtja e rrugës kërkon fonde të shumta, të cilat arka e shtetit shqiptar nuk mund t’i përballojë, pasi llogariten kosto që shkojnë të paktën deri në 20 milionë euro në vit. Për të garantuar këtë shumë, e vetmja zgjidhje shikohet vendosja e taksës, që mendohet të jetë duke filluar nga 5 euro dhe ku IFC-ja do të marrë pjesën që i takon në rast se zgjidhja që do të ofrohet jep rezultat.

Dhënia e autostradës me koncesion konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, por shton se të paktën dy vjet pas përfundimit, sipas kontratës, mirëmbajtja do të kryhet nga firma ndërtuese, “Bechtel&Enka”. /Telegrafi/