Telegrafi

Rruga e fshatit Tërstene të Kamenicës, e cila ka mbetur “në mëshirë” të kohës (Foto/Video)

Infrastruktura rrugore vazhdon të mbetet problem kryesor i qytetarëve në shumë zona rurale të komunave në Kosovë.

E me një problem të tillë tash e 18 vite pas luftës po përballen edhe banorët e fshatit Tërstene të komunës së Kamenicës.

Rruga e cila lidh kufirin Kosovë-Serbi e që kalon përmes këtij fshati, ndonëse kishte nisur së asfaltuari në vitin 2012-2013 ka mbetur në gjysmë dhe nuk dihen arsyet pse.

Janë 12 km rrugë të cilat kanë mbetur të pa asfaltuara, dhe që për banorët e kësaj pjese paraqesin problem e sidomos gjatë dimrit.

“Në këtë rrugë shumë herë gjatë dimrit nuk ka asnjë ndihmë për largimin e borës, gjë që na vështirëson shumë qarkullimin”, kanë thënë për Telegrafin banor të këtij fshati të cilët edhe kanë dërguar fotografi.

Ata kanë treguar se në këtë fshat jetojnë 15 familje të cilat si biznes të tyrin kanë bujqësinë, e që rruga e pa asfaltuar shpesh herë ju shkakton vështirësi.

Po ashtu në këtë fshatë përpos rrugës së dëmtuar, sipas banorëve funksionojnë edhe seberacione që sipas tyre janë të kundërligjshme gjë që ndihmojnë në dëmtimin e mëtejmë të kësaj rruge. /Telegrafi/