Rajoni i Dukagjinit në këtë periudhë të vitit frekuentohet rëndom nga turistët të cilët zgjedhin Rugovën për pushime dimërore.
Mirëpo, rruga nga qyteti i Pejës që dërgon deri atje vazhdon të mbetet e dëmtuar duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Banorët dhe përfaqësuesit e bizneseve thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme tek institucionet për intervenim në këtë rrugë, por nuk kanë marrë përgjigje.
Ata që duan t’i shijojnë bukuritë e Grykës së Rugovës, së pari detyrohen t’i tejkalojnë vështirësitë e rrugës.
Pjesa dërmuese e 30 kilometrave të kësaj rruge është me gropa, shembje të asfaltit te pjesët anësore dhe shembje dheu.
Përfaqësuesit e kësaj zone thonë se rruga ka filluar të dëmtohet që nga reshjet e nëntorit të vitit të kaluar, por askush nga institucionet nuk ka intervenuar.
Banor i Rugovës, Agron Nikçi thotë se janë lënë pas dore kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e rrugës.
“Jemi të lënë pas dore me mos mirbajtejen e rrugës M 9, e cila i lidh 16 fshatra të Rugovës”, tha ai, raporton RTK.
Flamur Rexhbogaj – përfaqësues i fshatrave të Rugovës, thotë se kanë dëmtuar rrugën jashtë mase.
“Reshjet e fundit e kanë dëmtuar edhe më shumë se sa ka qenë, ju kam drejtuar edhe me shkrim ministrisë”, tha ai.
Dëmtimi i rrugës ka ndikuar edhe te bizneset e kësaj zone. Sipas afaristëve të kësaj ane, këtë vit ka rënë dukshëm numri i vizitorëve.
Në anën tjetër Mustafë Nikçi, afarist ankohet se nuk ka vizitor shkak, sipas tij, rruga e prishur.
“S’ka vizitor që vjen edhe nuk e prish ndonjë gomë të makinës”, tha ai.
Rruga Pejë-Rugovë është në menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës.
Se kur do të bëhet intervenimi në këtë rrugë, zyra për media e kësaj ministrie nuk është përgjigjur.