Telegrafi

Rruga Durrës-Kukës, shqetëson Maqedoninë

Maqedonia shqetësohet se me hapjen e autostradës Durrës-Kukës, ky vend do anashkalohet si rrugë transporti.

Sipas mediave maqedonase, qarqet shtetërore dhe të biznesit në Maqedoni kanë frikë se tani do të shmangen udhëtimet nëpër Maqedoni, që për destinacion kanë portin e Selanikut, por edhe ato drejt shteteve tjera. Shmangia e këtij korridori kryesisht do të bëhet nga kompanitë e Kosovës, të cilat deri tani e shfrytëzonin territorin dhe rrugët e Maqedonisë për transportim të mallrave.

Mediat maqedonase po ashtu njoftojnë se gati të gjitha vendet e rajonit po investojnë në infrastrukturë rrugore. Kështu, Shqipëria ka investuar në segmentin e rëndësishëm rrugor Durrës-Kukës, në Kroaci investimet në rrugë kanë kapur shifrën e 10 miliardë eurove, ndërsa në Serbi po vazhdon ndërtimi i katër autostradave, si pjesë e Korridorit 10.

Mediat maqedonase pohojnë se, në Maqedoni ndërkohë nuk po kryhen punime në ndërtimin autostradave. Njëri prej projekteve të vetme është ai ndërtimit të autostradës 7-kilometërshe, që lidh Kumanovën me vendkalimin kufitar me Serbinë, Tabanovc. Sipas mediave, qeveria maqedonase, me rebalancin e buxhetit për vitin 2009, i ka ndërprerë projektet e paralajmëruara për ndërtimin e rrugëve ndërkombëtare. (News24)