Telegrafi

Rruga Durrës-Kukës, merr edhe 50 milionë dollarë

Në këto kërkesa, vihet re se Ministria e Transporteve, në investimet për rrugët nacionale parashikon afro 1.6 miliardë lekë për ndërtimin e segmentit nga Kalimashi (Rexhepaj) në Kukës e Kosovë, ndërkohë që dublimi i autostradës nga Fushë-Kruja në Milot do të marrë edhe afro 2.8 miliardë lekë.

"Gazeta Shqiptare" konstaton se të dy këto segmente që janë pjesë e rrugës Durrës-Kukës, së bashku, të konvertuara në valutë të huaj, sjellin një kosto prej afro 50 milionë dollarësh amerikanë, sipas kursit aktual zyrtar të këmbimit.

Nga ana tjetër, në kërkesat e po këtij dikasteri dallon edhe shpenzimin për mirëmbajtjen e tunelit të Thirës, që për vitin e ardhshëm do të kushtojë afro 1 milion dollarë.
Rekordin e shpenzimit- vazhdon artikulli i gazetarit Genc Kondi- për 12 muajt e ardhshëm e mban projekti tjetër, i shpallur nga qeveria si përparësi në infrastrukturë, i segmentit të ri Tiranë-Elbasan, që përfshin edhe ndërtimin e një tuneli. Por ky investim parashikohet tërësisht me fonde të huaja.

Në vitin 2011, Ministria parashikon shpenzimin e një fondi prej 90.4 milionë dollarësh për këtë segment, ndërkohë që pas tij, sërish, vijon një financim i huaj, rruga Levan-Tepelenë, me afro 38.7 milionë dollarë. Dyfishimi i korsive nga Plepat e Durrësit deri në Rrogozhinë do të kushtojë, për vitin e ardhshëm, në 10 lotet e tij, 30.5 milionë USD, pasuar nga shpenzimet për segmentin Tiranë-Bulqizë.

Për rrugën e vjetër Fier-Mallakastër janë parashikuar vetëm 40 mijë dollarë asfaltime, ndërkohë që puna për ndërtimin e segmentit Kardhiq-Delvinë, që duhej të kishte mbaruar tashmë, duket se ka ende kohë për të përfunduar, pasi për vitin 2011 parashikohen shpenzime në masën afro 700 milionë lekë. /Telegrafi/