Debati i fundit që zhvillohet në vend lidhur me garantimin e 10 vendeve të deputetëve në parlament për pakicat është edhe një dështim i radhës i politikë-bërësve shqiptarë. Shembulli i përfaqësimit të serbëve në parlamentin e Kosovës me numër të caktuar të deputetëve tani por bartet edhe në Maqedoni. Pakica serbe në Kosovë duke ndjekur strategjinë e hartuar në Beograd po jep frytet e veta në Kosovë, siç ishte rasti i mbajtjes së zgjedhjeve paralele. Tani më është e sigurt se pakicat në Maqedoni do të kenë të garantuar vendet e tyre në parlament, por pritet vetëm të konfirmohet në ndonjë takim të liderëve.
Partitë e vogla e sidomos të serbëve kohëve të fundit po zhvillojnë takime intenstive edhe me liderët shqiptarë të cilët tërthorazi apo duke njohur logjikën e së vepruarit të tyre do të pranojnë këtë ide, e cila burimin e ka tek kryeministri aktual. Në parim sipas trendeve moderne të politikave integruese kjo ide duket e pranueshme sepse me siguri do të ketë edhe presionin e përfaqësuesve të huaj mbi politikanët e vendit, të cilët do të përfitojnë ndonjë tender si dëmshpërblim për të kompensuar idenë që 10 deputet nga përbërja e ardhshme parlamentare të jenë të pakicave.
Forma dhe mënyra e zgjedhjes së tyre ende nuk është bërë e njohur apo si 10 deputetët do të sigurojnë votat. Ky nuk është problemi thelbësor, por në këtë mënyrë zbehet qëndrueshmëria dhe vlera e politikës shqiptare sepse në princip pakicat gjithmonë kanë përkrahur partinë maqedonase në pushtet dhe nuk kanë asnjë arsye që edhe në të ardhmen mos e përkrahin.
Edhe sipas statistikave joreale shqiptarët janë në numër më të madh në këtë shtet nga popujt tjerë por vendet në parlament nuk janë të rezervuara. Logjikisht popujt tjerë nuk kanë nevojë të dalin në zgjedhje se dalin ne mjafton të ketë përqindje të nevojshme të daljes në votime, dhe 10 deputetët e kanë vendin e tyre në kuvend, kurse shqiptarët do të “copëtohen” në zgjedhje, në fushata, në tubime, në pres konferenca, e çka mos tjetër për të siguruar votat për deputetë, kurse këta zotërinjtë tjerë s’kanë nevojë të “kacafyten” në zgjedhje.
Kjo duam apo s`duam ta pranojmë u hap rrugën serbëve në vend për të krijuar pushtetin paralel në Maqedoni, njëjtë si në Kosovë. Nuk do të habitem nëse pas kësaj marrëveshje fshihet ndonjë kompromis që në të ardhmen edhe pakicat të kenë ndonjë kryetar komune. Aspak nuk do të habitem nëse nesër serbët në Maqedoni votojnë për përbërjen e parlamentit të Serbisë dhe njëkohësisht krijimit të enklavave serbe në vend.
Në këtë drejtim pala shqiptare duhet të jetë më e zëshme dhe në këto bisedime nevojitet të parashtrojë idenë që në kuvend të ketë 30 vende të deputetëve të shqiptarëve të garantuara me ligj njëjtë si për popujt tjerë, pasi që sigurt për vendet e tyre në kuvend do të vlejë përqindja e tyre në bazë të regjistrimit të popullatës. Në këtë rast partitë politike shqiptare duhet të kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre të mëtejshme në organin më të lartë ligjvënës pra në parlament me garantimin e vendeve në parlament, ose ndryshe shndërrohemi në masë votuese edhe për pakicën rome, serbe, turke etj. Do të ishte në rregull sikur këta pakica të votonin për ndonjë parti shqiptare, por votat e tyre dihet botërisht se shkojnë tek partitë maqedonase.
Shqiptarët nga kjo ide nuk kanë parë asnjëherë “hajr” por vetëm “zarar”. Për shkak të respektimit të minoriteteve Kosova tash ka një milion probleme mbi kurriz me Serbinë e cila ushtron pushtetin e vet përmes serbëve vendorë dhe kjo dihet botërisht, këtë mënyrë të funksionimit të Serbisë e dinë ambasadorët, misionarët, EULEX, UNMIK, qeveria e Kosovës, parlamenti, partitë politike, por askush nuk ka arritur ta ndërpresë. Shtrohet pyetja se nëse ndodh në Maqedoni e njëjta gjë që të ketë institucione paralele a ka forcë që do e ndalë!?
Në këtë drejtim Serbia tregon se kujdeset për popullin që jeton jashtë territorit të vet se sa për popullin brenda kufijve ekzistues. Ku është në këtë rast shteti amë i shqiptarëve. Askund apo më drejt të themi, merret me politikat e integrimit dhe angazhohet për paqen në rajon. Fjalë këto monotone të politikanëve të Shqipërisë. Integrimi i rajonit sipas kësaj politike do të bëhet në bazë të veprimeve të politikës së Beogradit dhe Shkupit me pushtet paralel në Kosovë dhe një Mitrovicë të ndarë e të brishtë.
Ky integrim për të cilët pretendojnë vetëm politikanët shqiptarë fundin e ka në humnerë apo në degradim të plotë të Shqiptarëve në Ballkan. Mësim nga kjo politikë duhet të marrim nga ky kryeministër i Maqedonisë i cili thotë, kompromis do të bëjmë me Greqinë por pa ndryshim të emrit dhe identitetit. Shumë i qartë është ky njeri në deklarata. Kur kemi parë qartësi në deklaratat e politikanëve shqiptarë në Ballkan, përveç deklarata për integrim rajonal, paqe, fqinjësi të mirë etj. Çka do t`i kushtonte një politikani në Shqipëri nëse do të deklaronte “ Pa tërheqjen e pushtetit paralel të Serbisë nga Kosova, Shqipëria do t`i ngrijë marrëdhëniet me këtë vend”. Pse mos ndonjë politikan shqiptarë në Maqedoni të mos deklaron “Do të pranojmë që në parlament të ketë 10 vende për minoritet sikur për shqiptarët të ketë 30 vende të garantuara”. Q
Qëndrime të prera të tipit të Greuvskit kurrë s’kemi dëgjuar nga politikanët shqiptarë. Konstruktivitetin për integrime rajonale shumë shtrenjtë e kemi paguar sidomos ne shqiptarët në Ballkan. Rroftë integrimi rajonal në favor të popujve tjerë sa për ne shqiptarët nuk është problem, lehtë bëhemi kurban të minoriteteve.