Site icon Telegrafi

RRUGA DREJT PAQES

Poezi nga: Tom Waits
Përktheu: Fadil Bajraj

I riu Abdel Mahdi Shamay ishte sall tetëmbëdhjetë vjeç,
ishte më i riu prej nëntë fëmijëve,
kurrë s’e kishte kaluar asnjë natë larg shtëpisë.
Dhe nëna e tij e mbante fotografinë e tij, teksa shfletonte New York Times
Për të kuptuar se vrasjet janë intensifikuar në rrugën drejt paqes

Ishte një djalë gjatosh e thatanik me mustaqe për merak
dhe i maskuar si një çifut ortodoks
Në një autobus të mbushur plot në Jeruzalem,
disa e kishin mbijetuar Luftën e Dytë Botërore
Një eksplodim shurdhues i hodhi dritaret 200 jarde tutje
Me shumë dëme dhe me shtatëmbëdhjetë të vdekur në rrugën drejt paqes

Tash në avenynë King George dhe Jaffa Road
pasagjerët hipën në autobusin 14a
Në rruginën bash pranë shoferit Abdel Mahdi Shamay
Dhe gjëja e fundit që e tha në tokë ishte
“Zoti është i madh dhe Zoti është i mirë ”
Dhe të gjithë i çoi n’hava te mbretëria që shpie mbi rrugën drejt paqes

Ndërsa si përgjigje ndaj këtij taksirati e zuri Yasser Taha,
Izraeli thotë se ai është epror militant i Hamasit
Dhe Izraeli dërgoi katër helikopterë,
zjarri shpërtheu dhe shkatërroi gjithçka përreth
Ia mbyti gruan dhe fëmijën tre vjeç
duke lënë pas vetes sall skelete të shkrumbuara

U gjet shishja e fëmijës, një palë këpucë të vocërra dhe i
tunden para kamerave
Ama Izraeli thotë se nuk e dinin që gruaja e tij dhe
fëmija ishin në automobil
Tash ka pika kontrolli kudo dhe sall vuajtje në TV
Asnjëra palë kurrë s’do të heq dorë nga e drejta e tyre
më e vockël në rrugën drejt paqes

Izraeli nisi fushatën kundër Hamasit të martën
Dy ditë më vonë Hamas u hakmor
dhe vrau pesë ushtarë izraelitë
epo mijëra të vdekur dhe të plagosur në të dy anët
shumica prej tyre civilë të lindjes së mesme
Ata i mbushën fëmijët me plot urrejtje për të luftuar
në luftën e kahershme të njeriut dhe të vdesin në rrugën drejt paqes

“Dhe kjo është toka jonë,
do të luftojmë me gjithë fuqinë që kemi ”
thonë palestinezët dhe hebrenjtë
Secila palë do t’ia presë dorën çdokujt
që përpiqet të ndalojë rezistencën
Nëse të ofendon syri i djathtë atëherë
do të duhej ta nxirrje krejt
Ndërsa Mahmoud Abbas tha se
Sharon ka humbur fare rrugës drejt paqes

Dikur Kissinger pat thënë:
“Ne nuk kemi miq, Amerika ka vetëm interesa ”
Sot presidenti dëshiron të duket si hero dhe
është i uritur për rizgjedhje
Por Bush ngurron ta rrezikojë të ardhmen e vet
ngase ka frikë se mund të dështoj politikisht
Kështu që luan shah në tavolinën e tij dhe pozon për
media 10,000 milje larg rrugës drejt paqes

Në videon që e kishin gjetur në shtëpinë e Abdel Mahdi Shamay
Ai mbante kallashnikov dhe fliste me zërin si të një çuni
Ishte student i shkëlqyeshëm, studionte shumë,
dukej se kishte të ardhme të ndritshme
I kishte thënë së ëmës se kishte test
po atë ditë në rrugën drejt paqes

Fundamentalistët që vrasin në të dy anët
janë pengesë në shtegun e paqes
Ama më tregoni përse e armatosim ushtrinë e Izraelit
me pushkë, tanksa dhe plumba?
Dhe nëse Zoti është i madh dhe nëse Zoti është i mirë
përse nuk mund t’ua ndërrojë zemrat njerëzve?

Paj ndoshta vetë Zoti ka humbur dhe i duhet ndihmë
Ndoshta vetë Zotit i duhet ndihma jonë
Ndoshta vetë Zoti ka humbur dhe i duhet ndihmë
Ai është në rrugën drejt paqes

Paj ndoshta vetë Zoti ka humbur dhe i duhet ndihmë
Ndoshta vetë Zotit i duhet ndihma jonë
Edhe ai ka humbur rrugës drejt paqes
Edhe ai ka humbur rrugës drejt paqes
Diku në rrugën drejt paqes.

Exit mobile version