Telegrafi

Rrufeja vret 160 krerë bagëti në Gramsh, shpëton mrekullisht bariu dhe familja

Një bari në zonën e Gramshit ka shpëtuar mrekullisht pasditen e kësaj të hëne nga një rrufe që ka rënë pranë kopesë së tij të bagëtive.

Por rrufeja i vrau 165 krerë dele.

Siç shihet dhe në foto, bagëtitë kanë qenë duke kullotur dhe sapo ka nisur rrebeshi i shiut, delet kanë qëndruar nën një pemë të madhe.

Stuhia e shiut që zuri në fshatin Kukur është shoqëruar me shkarkesa elektrike, një prej të cilave ka rënë në kopenë e Skënder Shulit.

Kryefamiljari i një familje me 6 anëtarë, Skënder Shuli, ka shpëtuar mrekullisht, por ka parë me lot në sy sesi burimi i vetëm i të ardhurave i është shkatërruar.

Tufa me 165 dele kanë ngordhur të gjitha si pasojë e rrufesë, duke i shkaktuar bariut një dëm të madh financiar.