Site icon Telegrafi

Rrota e kaçkavallit

Siç e mbajnë mend me siguri lexueset e lexuesit e mi të vëmendshëm, para dy javësh pata të ftuar në këtë rubrikë të së dielës Nastradinin e famshëm (ndër)kombëtar, sepse këtë ftesë ma imponoi aktualiteti i politikës shqiptare me fjalën “tepsi”, rrumbullakësia kuptimore e së cilës më shpuri, falë një shoqërimi idesh, te “timoni”, dy terma këta që kreu i Partisë Socialiste dhe njëherazi i qeverisë sonë, i përdori dendur e me njëfarë suksesi batutor gjatë fushatës zgjedhore, që parapriu fitoren e bujshme të partisë së tij në qershorin e vitit të kaluar.

Mirëpo, e njëjta tepsi, me rrumbullakësinë e saj – sërish falë një shoqërimi idesh – më shpuri te rrumbullakësia e rrotës së kaçkavallit dhe, natyrisht, rrumbullakësia e kësaj të fundit, më kujtoi La Fontenin, fabulistin e famshëm frëng të shekullit XVII, të cilin kisha kohë pa e ftuar në këtë rubrikë të përjavshme. Më duhet të saktësoj paraprakisht se fjala shqipe “mi” ka dy barasvlerës në gjuhën frënge, fjalën “souris”, mi i vogël shtëpie, dhe fjalën “rat”, mi i madh (arash, llagëmesh etj.). Pikërisht këtë të dytin merr La Fonteni, si personazh të fabulës me titull “Le rat qui s’est retiré du monde”, çka në shqipe mund të përshtatet me togfjalëshin “Miu vetmitar”.

Por, gjithnjë sipas La Fontenit, ky mi jetonte ndryshe nga të tjerët: ai kishte zgjedhur për banesë një alamet rrote djathi kaçkavall, kështu që, duke e pasur të siguruar ushqimin – dhe çfarë ushqimi se! -kishte vënë mish e dhjamë. Një ditë, vazhdon La Fonteni, një grup minjsh deputetë (députés në origjinal) erdhën, e takuan dhe i thanë se po shkonin jashtë shtetit për të kërkuar ndihmë sepse macet kishin sulmuar republikën e tyre të varfër; kur mësoi se bashkatdhetarët e tij nuk kishin më në xhep asnjë kacidhe për të vazhduar rrugën, miu ynë nxitoi t’i përcillte, duke i siguruar se do t’i lutej Zotit për ata.

O Zot, sa parashikues është treguar La Fonteni, që në shekullin XVII, me këtë fabul! Çfarë analogjie me aktualitetin shqiptar të shekullit XXI! E varfër republika e minjve, e varfër edhe Republika e Shqipërisë. Minjtë deputetë shkojnë jashtë shtetit për të kërkuar ndihmë për republikën e tyre, qeveritarët tanë shkojnë jashtë shtetit për ndihmë, që vendi i tyre të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Europian, në gjirin e të cilit shpresojnë të gjejnë jo vetëm disa thërrime më shumë, por edhe disa rrota të plota kaçkavalli!

Gjithsesi, duhet pranuar se, në pamje të parë, analogjia midis fabulës së La Fontenit dhe aktualitetit tonë politik nuk qëndron deri në fund sepse, ndërsa minjtë deputetë të fabulës nuk kanë më asnjë grosh në xhep, qeveritarët tanë janë të kamur, veçse si mund ta parashikonte i shkreti La Fonten, se rreth katër shekuj më vonë qeveritarët tanë paratë nuk do t’i mbanin të shkoqura në xhep, por stivë në banka, dhe se do të paguanin me karta kredie? Sepse, po ta kishte parashikuar, për shembull, që një barishte si marijuana mund ta shpëtonte republikën e minjve nga kthetrat e maceve, ai do të vinte në gojën e miut vetmitar propozimin, që gjithë populli i minjve të mbillte e të kultivonte marihuanë në mënyrë gjithashtu që çdo mi të kishte rrotën e vet të kaçkavallit, madje disa rrota, një në kryeqytet, një buzë detit, një majë malit, si edhe modestish të paktën një në çdo kontinent tjetër, përfshirë edhe Arktikun e Antarktikun.

Përveç kësaj, po ta kishte ditur se ç’pasuri mund të vije mënjanë falë korrupsionit dhe lidhjeve me krimin, ai do ta kishte ndërtuar personazhin e miut tonë në mënyrë të tillë që ky t’u mësonte minjve deputetë se si të pasuroheshin e të jetonin të lumtur brenda rrotave me djathëra jo vetëm shqiptarë si kaçkavalli, por edhe francezë si ata me emrin camembert, rocquefort, saintnectaire, boursin, bleu d’Auvergne, brie, tomme de chèvre dhe plot e përplot të tjerë.

Së fundi, në mënyrë që përvoja e pushtetarëve shqiptarë t’u shërbejë gjithë pushtetarëve të ardhshëm, kudo qofshin ata, të cilët aspirojnë të integrohen në grupime të mëdha gjeopolitike, duhet domosdo të dalë një La Fonten shqiptar, që të shkruajë një fabul nën dritën e përvojës fantastike të qeveritarëve e të deputetëve tanë, të cilën fabul gjithë fëmijët e shkollave dhe ata të rrugëve do të bënin mirë ta mësonin përmendsh për të vlerësuar kontributin e kë- tyre në rrotëka… rrotëka… rrotëkaçkavallizimin karizmatik të krejt racës njerëzore. /panorama/

Exit mobile version