Skuadra e FC Shkupi ka arritur të bëjë edhe blerjen e dytë të afatit kalimtar, duke transferuar në kampin bardhekaltër talentin që është vlerësuar edhe ndër më të dalluarit në Evropë, Rron Broja, pasi shumë ekipe ishin vënë pas shërbimeve të tij.
Bëhet fjalë për talentin 21 vjeçar nga Kosova, i cili tani më pas vete ka edhe një titull kampion me skuadrën e Trepça ’89, ku edhe ka luajtur sezonin e kaluar.
Ai është një nga mesfushorët e talentuar dhe kapiten i përfaqësueses kosovare U21, ndërsa me Trepçën ’89, kishte edhe paraqitje në ndeshjet në kuadër të Ligës së Kampioneve.
Broja ka folur për faqen zyrtare të klubit, ku nuk ka hezituar të shprehë gëzimin për marrëveshjen me FC Shkupi.
“Padyshim se jam shumë i lumtur do të jem pjesë e klubit më të suksesshëm shqiptar nga Maqedonia. Kisha dëgjuar qysh si fëmijë kur Shkupi ka luajtur me emër tjetër që është kampion i trefishtë dhe fitues i tre titujve të kupës”.
“Andaj pa hezitim bëra zgjedhjen e duhur që të vesh fanellën e një skuadre kampione. Gjithsesi do të jetë për mua shumë me rëndësi që do të luaj edhe para një armate të madhe të tifozerisë shkupjane ‘Shvercerat’ dhe besoj se së bashku me ekipin do të arrijmë shumë suksese”, ka thënë 21-vjeçari.
Rroni pas vete ka edhe përvojën evropiane, duke luajtur në kampionatin belg, me ekipet e SK Deninze dhe ish-kampion belg, KAA Gent.
Sigurisht se Broja do të shtojë konkurrencën në mesfushën dhe sulmin e FC Shkupit.
Kryesia e klubit kështu ngadalë, por me hapa të sigurt po përmbush kërkesat e stafit teknik dhe po kompletohet para nisjes së fazës së dytë përgatitore që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, ku edhe do të luhen ndeshjet kontrolluese me ekipe që janë me përvojë edhe në Ligën e Kampioneve, shkruan në faqen e klubit nga Maqedonia.
Ditëve në vijim priten edhe publikimi i emrave të ardhjeve të reja, ndërsa prezantimi i të gjithë futbollistëve do të bëhet në fundjavë.