Site icon Telegrafi

Rrokulliset kamioni cisternë në Kolumbi, qytetarët grumbullohen për të marrë derivatet që derdheshin – shpërthen mjeti dhe lë të vdekur 7 persona

Nga shpërthimi i një cisterne me derivate në Kolumbi, kanë humbur jetën shtatë persona, kurse mbi 40 tjerë janë lënduar, njoftojnë autoritetet e këtij vendi.

Deri te shpërthimi erdhi pasi që një numër i madh i qytetarëve u afruan rreth kamionit të rrokullisur, me sa duket me synim që të mbledhin derivatet që derdheshin në tokë, transmeton Telegrafi.

Në video shihen dhjetëra qytetarë të grumbulluar rreth kamionit të rrokullisur pranë rrugës, rreth 65 kilometra larg qytetit Barankvila.

Shumë prej tyre mbanin enë të mëdha të plastikës për t’i mbushur me derivate, e disa tjerë tentonin ta ndihmonin shoferin.

Por, papritmas mjeti u përfshi nga zjarri dhe qytetarët filluan të vrapojnë nëpër të gjitha anët për t’i shpëtuar më të keqes.

Disa prej tyre kanë pësuar djegie, e të tjerët humbën jetën dhe mezi autoritetet kanë arritur t’i identifikojnë.

Senatori kolumbian Armando Benedeti ka thënë se ky incident tregon për problemet që i ka ky vend siç është varfëria.

“Gjithçka ndodhi sepse kërkonin një mënyrë për të mbijetuar”, ka shkruar Benedeti.

Hetuesit besojnë se aksidenti ka ndodhur pasi që shoferin e kishte zënë gjumi prapa timonit, dhe ka ndodhur në kohën kur spitalet janë të mbushura për shkak të numrit të madh të infektuarve me coronavirus. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=c8Fwqi34RGc&feature=emb_title

 

Exit mobile version