Afërsisht tre vjet, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi kanë provuar të bindin opinionin publik brenda dhe jashtë Kosovës, se bashkëqeverisja e tyre është në dhe për interesa të Kosovës dhe se pas saj nuk qëndron asnjë motiv tjetër. Ata madje në shumë raste deklaronin se janë duke u dëmtuar politikisht, qoftë si politikanë apo partitë e tyre, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të këtij koalicioni qeverisës që u paska imponuar gjendja politike në vend. Ish Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi në shumë raste kanë etiketuar gazetarët, dhe këdo tjetër, se kanë misione të caktuara, kur kanë shkruar dhe folur për rezultatet e qeverisjes së tyre!
Por, nuk është thënë kotë, se koha dëshmon të vërtetën. Ajo ditë erdhi ¨papritur¨ dhe Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi vendosin të ndahen politikisht dhe kjo ndodhi për asgjë më shumë, sesa për interesa të ngushta politike. Fundi i bashkëqeverisjes erdhi atëherë kur Kosovës ju caktua një agjendë e re bisedimesh me Serbinë, kur procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë vende nuk po ecën mirë edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur ekonomia ka renë për toke dhe shifrat e papunësisë të tmerrojnë, kur krimi dhe korrupsioni kanë pushtuar majat me të larta të pushtetit dhe institucioneve publike në vend, kur një pjesë e territorit vazhdon të jetë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe mbi të gjitha, kur Kosova ende nuk ka përmbyllur një proces zgjedhorë që ka filluar afër një viti më parë, mos të harrojmë zgjedhjet e premtuara në Veri të Mitrovicës.
Pra, deklarimet e tyre tre vjeçare dhe veprimet e fundit janë kontradiktore, që dëshmojnë se bashkëqeverisja mes Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit ka qenë për interesa të ngushta politike, të cilat sapo u kërcënuan seriozisht, shkatërruan marrëveshjen e arritur tre vjet më parë për të bashkëqeverisur, siç deklaronin për interesa të qytetarëve të Kosovës, duke e futur vendin në qorrsokak politik dhe institucional. Interesat e kërcënuara në fund të fundit përcaktojnë edhe fatin politikë të Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit, të parit në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa të dytit në krye të qeverisë për shkak të qeverisjes tre vjeçare! Po të mos ishte kështu, dhe nëse ata vërtet kanë qenë duke punuar për interesa të vendit, z. Sejdiu do të largohej më parë nga kreu i LDK-së, ndërsa z. Thaçi do ta pastronte qeverinë e tij nga të dyshuarit për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.
Pasi që nuk ndodhi kjo, Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi po synojnë që përmes vendimit për të mos vazhduar edhe më tutje bashkëqeverisjen PDK-LDK, të arrijnë objektiva të reja, përmes formave të tjera? Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi që nuk ju mundësua qëndrimi ulur në dy karrige, atë të kryetarit të LDK-së dhe Presidentit të vendit edhe më tutje, vendosi të përmbys çdo gjë në emër të partisë, duke u ¨deklaruar¨ Rroftë partia, poshtë shteti! Fatmir Sejdiu e ka ditur se po shkel Kushtetutën e vendit, por ka provuar ta qëndrojë sa më shumë më këmbë mbi Kushtetutën e vendit!
Por, pasi që Gjykata Kushtetuese ia mohoi këtë gjë edhe me tutje, Fatmir Sejdiu zgjodhi partinë para shtetit, kjo për faktin se ai e ka të qartë se ku ndodhet partia që udhëheq, Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye të së cilës deri më tani ka humbur të gjitha zgjedhjet në Kosovë. Kështu që ka vendosur t¨i përkushtohet asaj gjatë këtyre muajve, pasi që nuk pritet të mposhtet nga Bujar Bukoshi dhe ta mposht Hashim Thaçin, të cilin edhe e konsideron si fajtorin kryesor që e ka sjellë në këtë situatë. Argumenti që do të përdorë z. Sejdiu kundër z. Thaçi në fushatën elektorale është gjendja socio-politike që sot po përjeton Kosova në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, duke harruar se edhe ai vetë është po aq përgjegjës për këtë gjendje! Pra, Fatmir Sejdiu po bëhet gati për t¨iu hakmarrë politikisht kryeministrit Thaçi, duke shpresuar se deri pas zgjedhjeve në Kosovë nuk do të kthehet ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sepse do t¨ia prishte llogaritë politike! Siç shihet, Fatmir Sejdiu do të përdor gjithë ¨arsenalin¨ e tij politikë, partiak dhe klanor për t¨u rikthyer në skenën politike të Kosovës, por kësaj radhe si i pari dhe jo si pritës tek dera, se kush do ta marr pranë vetes.
Në anën tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duke se ka bërë llogaritë e tija politike, kur ka vendosur të ¨shkurorëzohet¨ politikisht nga Fatmir Sejdiu. Edhe z. Thaçi, si z. Sejdiu, me veprimet e fundit vetëm sa ka dëshmuar se për të parësore janë interesat individuale, klanore dhe partiake, dhe se pastaj vijnë ato shtetërore, pra rroftë partia, poshtë shteti. Ndryshe nuk do ta kishte nxitur heshtazi procesin gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ndaj ish Presidentit Sejdiu, ngase e ka ditur se vendimi i saj do të jetë po ai që u publikua! Megjithatë, ai ka dashur që të gjejë një fajtor publik për prishjen e ¨martesës¨ qeverisëse me ish Presidentin Sejdiu, për të mos u akuzuar më vonë se ishte shkaktar i futjes së vendit në qorrsokak politik!
Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi e ndjenë veten më të fuqishëm se kurrë politikisht në Kosovë dhe kjo për disa arsye. Kryeministri Thaçi vlerëson se Fatmir Sejdiun dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës i ka degraduar aq keq politikisht për këto tri vjet qeverisjeje, sa nuk do të jenë në gjendje që të rikthehen kërcënueshëm dhe as të mund t¨i fitojnë zgjedhjet. Ai beson se shkuarja në zgjedhje të parakohshme i konvenon vetëm atij dhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe për këtë insiston që të mbahen sa më shpejt, për faktin se katër partitë tjera parlamentare në një mënyrë apo tjetër janë të hendikepuara politikisht tani për tani. Kryeministri Thaçi vlerëson se me Fatmir Sejdiun e degraduar politikisht, Ramush Haradinajn në Hagë, të paktën deri pas zgjedhjeve, Behxhet Pacollin e pastabilizuar politikisht pa Uni të lidershipit, Nexhat Dacin me dosje në gjykatë që mund ta shantazhojë kur të dojë dhe Albin Kurtin po ashtu të përjashtuar nga gara zgjedhore me anë të një procesi të montuar gjyqësor, duke llogaritur edhe në disa procese pozitive që i kanë ndodhur Kosovës për këto dy vjet, të mbetet figura qendrore politike dhe pa frikën se dikush do të mund t¨ia zërë vendin e kryeministrit edhe për katër vjetet e ardhshme!
Por, ky mund të jetë një përfundim i gabuar, nga i cili edhe mund të ngel në provim kryeministri i tanishëm Hashim Thaçi. Ai harron se qeveria e tij ua ka tejkaluar, me shkallën e skandaleve, aferave korruptive, qeverive të kaluara në Kosovë për këto tri vjet qeverisjeje. Kryeministri Thaçi harron se tendenca që përmes zgjedhjeve të parakohshme të eliminoj kundërshtarët politik, qoftë brenda partisë së tij për shkak se po hetohen nga gjyqësor, apo jashtë saj për shkak se janë të hendikepuar për arsye që i përmendëm, mund të jetë thikë me dy tehe, në të cilët mund të bie vet dhe kjo për faktin se rivalët e brendshëm mund t¨ia kthejnë shpinën, ndërsa të jashtmit mund të grupohen! Z. Thaçi për më shumë se kaq, harron se ka edhe një argument më shumë kundër vetes dhe partisë së tij në fushatën e ardhshme elektorale, atë të mos përmbushjes së premtimeve të bëra tri vjet më parë, si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, rregullimi i infrastrukturës, shëndetësia, pensionet, pagat, etj, etj.
Dhe këtë argumentin e fundit, do të presim për të parë, nëse qytetarët e Kosovës do ta përdorin kundër tij, apo kundër të dyve, Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit, për shkak se kanë bashkëqeverisur për tre vjet. Sepse ndryshe, sa më gjatë që të shkoj të kuptuarit e asaj që është premtuar dhe asaj që është bërë, lojërat e tilla politike do të luhen më shpesh, për çka çmimin do ta paguajnë qytetarët dhe Kosova. Sa për ta freskuar mendjen po kujtojmë disa nga çmimet e rënda që kemi paguar deri më tani, izolimi i qytetarëve të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave, kapja e pushtetit nga krimi dhe korrupsioni, varfëria e lartë, shëndetësia vrastare, arsimimi i dobët, shitja e pasurisë së Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, paralajmërimi i bisedimeve të reja me Serbinë, ku temë fokus do të jetë fati i Veriut të Mitrovicës, e cila pjesë, pas këtyre bisedimeve do të shndërrohet në ¨Republika Serbska¨ brenda Kosovës!
Prandaj, para se të lejomë që politikanët e tillë të luajnë me të ardhmen tonë, të provojmë ne, qytetarët e Kosovës, që të luajmë me të ardhmen e tyre politike! Kjo nuk është vështirë për t¨u arritur, mjafton të bojkotohen dhe ndëshkohen në ditën e zgjedhjeve dhe ka përfunduar epoka e tyre, kështu ndodhë në demokracitë perëndimore! Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi meritojnë një leksion të tillë, për faktin se për tre vjet kanë qenë protagonistët kryesor të asaj që po përjetojmë sot dhe nuk kanë dëgjuar se janë duke gabuar edhe atëherë kur u është thënë nga brenda dhe jashtë Kosovës se janë duke menaxhuar keq me situatën politike në Kosovë, pasojat e së cilës tani po i ndjejmë dhe shohim.