Site icon Telegrafi

Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Tregtarët po dëmtohen nga mosunifikimi i POS-ave, kostot për transaksion si dhe ato për mirëmbajtjen

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka marr pjesë në forumin virtual me temë “Reduktimi i transaksioneve në para të gatshme” ku u diskutua lidhur me sfidat për inkurajimin e pagesave me kartelë dhe avantazhet që kjo praktikë ofron në uljen e informalitetit dhe rritjen e sigurisë.

Forumi u organizua nga Shoqata e Bankave të Kosovës ndërsa si penalistë të ftuar ishin, Petrit Balija, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Ardian Doko nga NLB, Vladimir Djordjevic, menaxher i përgjithshëm në VISA, Masar Baxhaku nga Banka Qendrore e Kosovës si dhe Yllka Metaj, drejtoreshë ekzekutive në Rrjetin e Shitësve me Pakicë.

Në diskutime u elaborua lidhur me situatën e Kosovës në raport me rajonin sa i përket pagesave me kartelë, kornizën ligjore dhe rregullative lidhur me përdorimin e kartelës, rëndësinë e pagesave digjitale në ekonomi si dhe lidhur me sfidat që ballafaqohen tregtarët për promovimin e pagesës me kartelë.

Yllka Metaj-Shaqiri nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë elaboroi se bizneset në mënyrë të vazhdueshme përkrahin pagesat me kartelë ndërsa nuk mungojnë resurset e bizneseve e as aftësia e burimeve njerëzore për promovimin dhe ekzekutimin e pagesave me kartelë marrë parasysh interesin e përbashkët në lehtësimin e proceseve dhe zvogëlimin e ekonomisë joformale.

Megjithatë, Metaj-Shaqiri bëri të ditur se bizneset po dëmtohen nga mosunifikimi i tarifave të POS-ave dhe aplikimi i tarifave të ndryshme për biznese të sektorëve të ndryshme të tregtisë me pakicë.

Metaj theksoi se mosunifikimi i këtyre tarifave detyron bizneset që të pajisen me POS nga banka të ndryshme të cilat aplikojnë tarifa të ndryshme, duke bërë kështu operacionet e bizneseve vështirë të menaxhueshme. Për më tepër, bizneset përballën me kosto konsiderueshëm të larta të asociuara me mirëmbajtjen këtyre POS-ave dhe tarifat për transaksion.

Në vazhdim u diskutua lidhur me shqyrtimin e mundësive për lehtësimin e barrës së bizneseve, ndërsa u potencua nevoja e koordinimit të vazhdueshëm në mes të institucioneve bankare dhe sektorit privat për reduktimin e transaksioneve në para të gatshme, uljen e informalitetin dhe rritjen e sigurisë në transaksione.

Exit mobile version