Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka reaguar lidhur me Ligjin mbi Mbrojtjen e Konsumatorit, veçanërisht për disa nene, që sipas tyre nuk janë marr parasysh kostot e zbatimit.
Rrjeti thotë se shqetësimi kryesor është vendosja e etiketës për origjinën e produktit.
“Shqetësimi kryesorë rrjedh pikërisht nga neni 16, paragrafi 8 i këtij Ligji ‘Etiketa’, e cila e detyron shitësin të tregoj origjinën e produktit të vendit edhe përmes vendosjes së një etikete që tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit. Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit është përgatitur sipas direktiva te BE-së, megjithatë paragrafi i specifikuar si dhe shumat e ndëshkimit për mospërfillje të nenit të lartpërmendur nuk janë pjesë e direktivës”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
Rrjeti thotë që neni i tillë të paktën të rregullohet me akt nënligjor.
“Neni i tillë të paktën të rregullohet me akt nënligjor, ku do të definohet me saktësisht origjina/prejardhja e produktit për t’i shërbyer shitësit si udhëzues manual. Një akt i tillë nënligjor ende nuk është përcaktuar, ndërsa ndëshkimi për mospërfillje të nenit do të hyjë në fuqi në muajin nëntor 2018, me gjoba të cilat lënë hapësirë të madhe të interpretimit të shumës së ndëshkimit nga ana e inspektorëve”, vazhdon reagimi.
Në fund, Rrjeti thotë se përkrahësit e këtij neni e kanë zgjedhur strategjinë e gabuar për të mbrojtur konsumatorin
“Nëse mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me ndëshkimin e shitësve me pakicë për shkak të mos etiketimit të produkteve me flamuj të origjinës të vendit sepse një akt nënligjor ende nuk ekziston, përkrahësit e këtij neni me të vërtetë e kanë zgjedhur strategjinë e gabuar për të mbrojtur konsumatorin”, përfundon reagimi. /Telegrafi/