Site icon Telegrafi

Rrjeti i Shitësve me Pakicë e mirëpret miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje

Rrjeti i Shitësve me Pakicë njofton se e mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Rrjeti konsideron se reagimi institucional në përpjekje për të sanuar dëmet ekonomike të pandemisë COVID-19 dhe mbështetur sektorin privat edhe pse i vonuar, i kontribuon ruajtjes së vendeve të punës dhe rimëkëmbjes së bizneseve.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të trajtojnë çdo sferë kontradiktore, të bëjnë ndryshimet e duhura po që se shihet e nevojshme dhe të miratojnë në tërësi në seancat e radhës Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të mundësohet disbursimi i mjeteve dhe mbështetja e bizneseve. Çdo vonesë në stimulim të bizneseve të prekura nga COVID-19 po shkakton dëme të pariparueshme duke vënë në rrezik vende të punës dhe subjekte ekonomike. Andaj, ne i bëjmë thirrje përfaqësuesve në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të lënë anash dallimet politike dhe të të fokusohen në trajtimin e çështjeve esenciale për garantimin e mbarëvajtjes dhe qëndrueshmërisë ekonomike”, thuhet në njoftimin e rrjetit.

Lexo po ashtu Në përpjekjen e shtatë, miratohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version