Rrjeti i Shitësve me Pakicë shpreh shqetësimet e anëtarëve që përfaqëson lidhur me diskursin politik, i cili po pamundëson rimëkëmbjen e ekonomisë vendore pas shpërthimit të COVID-19.
Rënia e aktivitetit ekonomik krahas situatës emergjente të shëndetit publik ka dëmtuar në themele bizneset, ndërsa mungesa e konsensusit në mes të spektrit politik për të mbështetur bizneset përmes një pako stimuluese ekonomike po vë në pikëpyetje të ardhmen e këtyre kompanive.
Rrjeti cilëson se vonesat në zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale dhe miratimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike po shkaktojnë dëme të pariparueshme duke vënë në rrezik vende të punës dhe subjekte ekonomike.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë u bën thirrje të gjitha palëve që të lënë anash dallimet dhe të fokusohen në trajtimin e çështjeve ekonomike me qëllim të garantimit të mirëqenies së qytetareve dhe mbarëvajtjes ekonomike. /Telegrafi/