Rrjeti i OJQ-ve në Ferizaj, AVONET ka deklaruar se therrja e katër personave është një ngjarje tejet alarmante për sigurinë publike dhe përbën një sinjal të qartë për pasigurinë publike me të cilën përballen qytetarët e kësaj komune.
“Fatkeqësisht, incidentet e ngjashme, përfshirë therrjet dhe rrahjet e vazhdueshme, kanë ndikuar thellësisht në ndjenjën e pasigurisë me të cilën përballen qytetarët”, thuhet në njoftim.
“AVONET shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen alarmante të sigurisë publike në Ferizaj, gjendje që vë në pah mungesën e efektivitetit të akterëve lokalë përgjegjës për këtë fushë. Është për të ardhur keq që Komuna e Ferizajt nuk mban në funksion një mekanizëm të rëndësishëm për garantimin e sigurisë, siç është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi -KKSB. Ky forum, i cili ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e çështjeve të sigurisë publike, do të duhej të ishte në qendër të bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve”, vijon njoftimi.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se roli i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit është thelbësor, bazuar edhe në Strategjinë për policinë në bashkësi.
“Fatkeqësisht, së fundmi ky bashkëpunim duket se është dobësuar, duke humbur efektivitetin e tij në adresimin e sfidave që përballet komuniteti”.
AVONET ngrit alarmin mbi mungesën e komunikimit mes institucioneve dhe qytetarëve, çka sipas tyre ndikon drejtpërdrejt në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike.
“Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe një bashkëpunim të përforcuar për të rikthyer besimin dhe sigurinë publike”, thuhet mes tjerash në reagim./Telegrafi/