Telegrafi

Rrjeti i supermarketeve italiane “Conad” tani edhe në Kosovë (Foto)

Rrjeti i supermarketeve italiane “Conad”, përmes një ceremonie inauguruese zyrtarizoi hapjen e një supermarketi të tillë edhe në Kosovë, më konkretisht në Grand Store, në kilometrin e tretë të magjistrales Prishtinë – Ferizaj.

Investimi prej tre milionë eurosh që “Conad” po bënë në Kosovë, sipas përfaqësueseve të saj, po ashtu do të kontribuoj edhe me punësimin e rreth 100 personave.

Përfaqësuesi i Conad, Pietro Taffuni, me rastin e ceremonisë së hapjes zyrtare të Supermarketit tha: Sot po inaugurojmë supermarketin e parë Conad në Kosovë. Conad është një rrjet shumë i rëndësishëm i supermarketeve që është i njohur jo vetëm për cilësi por edhe për kujdes ndaj konsumatorit, qe ti sigurojë atyre kualitet të produkteve”.

Zv. Ambasadori i Ambasadës së Italisë në Kosovë, Salvatore Marino, tha që ky inaugurim po bëhet në kohën kur do të ketë edhe bashkëpunime të tjera të rëndësishme në fushën e ekonomisë mes dy vendeve.

“Ne po punojmë që të kemi prezentë Italinë në Kosovë në shumë fusha, dhe hapja e këtij supermarketi sot, është një dëshmi në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërkaq Drejtori Ekzekutiv i rrjetit të supermarketit Conad në Kosovë, Leonard Peja, duke i përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrje dhe mbështetësit e këtij projekti, ndër tjerash tregoi për cilësinë e produkteve që ofron Conad dhe zgjerimit që ky rrjet do ta bëjë në Kosovë.

Peja më konkretisht tha se para se çdo gjëje tjetër dëshiron të falënderoj njeriun i cili mundësoi që sot Conad të jetë në Kosovë.

“Një njeri i cili gjatë gjithë kohës mendon për një zhvillim ekonomik të vendit dhe zvogëlim të papunësisë së vendit, e ai është z. Behgjet Pacolli. Gjithashtu falënderoj edhe gjithë përkrahësit të cilët janë pjesë e bordit të kësaj kompanie Valon Lluka dhe Driton Gërbeshi. Një falënderim të veçantë dua të bëjë edhe për institucionet dhe kompanitë vendore për përkrahje gjatë gjithë kohës, stafin e Conad Shqipërisë dhe stafin e Conad Kosova të cilët kontribuon drejt finalizimit të këtij projekti gjigant”, përfundoi Peja.

Qytetarëve të Kosovës ky investim që po bënë “Conad” u ofron shumëllojshmëri produktesh me cilësi te larte ku po thuajse 70 % të këtyre produkteve vijnë ekskluzivisht për herë të parë nga Italia.

Sipas përfaqësuesve të rrjetit “Conad”, konfirmohet se produktet italiane të këtij supermarketi do të jenë me çmime të volitshme dhe në harmoni të plotë me standarde evropiane.

Konsumatorët e parë që vizituan “Conad”- in u shprehen mjaft të kënaqur lidhur me cilësinë e produkteve që ky supermarket ofron dhe kjo është edhe një dëshmi se ofrohen produkte cilësore.

Fjolla Berisha e cila ishte një ndër blerëset e para në supermarketin Conad, tha që është mjaft e kënaqur me prezencën e rrjetit të supermarketeve Conad në Kosovë e cila u shpreh se “Jam e lumtur se tani edhe në Kosovë mund të blej pastat e mija të preferuara italiane dhe produktet e brumit pasi që italianët janë ekspert botëror në këtë produkte”.

Në vazhdën e zgjerimit të rrjetit, “Conad” vetëm gjatë vitit 2015 do të hapë pesë pika supermarketesh në Kosovë .

“Conad” ka një koncept shumë mirë të organizuar falë përvojës së gjatë që kanë. Për më tepër në Itali, Conad është prezentë në 18 qytetet kryesore të Italisë me shume pika të shitjes. /Telegrafi/