Njeriu kurrë më parë nuk ka qenë i ekspozuar ndaj të tjerëve dhe kurrë më parë nuk ka mundur të komunikojë kaq lirisht në çdo cep të botës dhe në kohë reale me të tjerët. E gjithë kjo i mundësohet përmes rrjeteve sociale, të cilat na ftojnë për ta bërë jetën sa më publike.
Ato kanë thyer sot mentalitete, tabu mbi jetën personale, hapësirat dhe dimensionet e komunikimit.Megjithatë, përkundër efekteve pozitive, rrjetet sociale në shumë raste janë bërë burim konfliktesh ndërpersonale, duke gjeneruar edhe krime të tjera.
Sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale nga moshat e mitura, drejtori i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Jeton Arifi, në Ditën Ndërkombëtarë të Privatsisë, ka thënë se prindërit duhet të jenë syhapur, në mënyrë që fëmijët e tyre, të mos jenë pre e abuzimeve nga keqpërdorimi i teknologjisë.
“Rrjetet sociale po gjejnë përdorim nga të gjitha moshat. Natyrisht se mosha e cila më shumë i nënshtrohet rrezikut potencial janë të rinjtë, adoleshentët, të cilët sipas hulumtimeve që i kanë bërë organizatat joqeveritare, me të cilat ne kemi bashkëpunim të ngushtë, ka të dhëna se ata këto rrjete i shfrytëzojnë pa kritere të caktuara dhe pa mbikëqyrje prindërore në të shumtën e rasteve. Ato i shfrytëzojnë kryesisht për lojëra, të cilat kanë potencial rreziku edhe për futjen e virusëve të ndryshëm, i cili mundëson vjedhjen e të dhënave, të cilat gjenden në pajisjen e teknologjisë të cilën ata e shfrytëzojnë, qoftë celular, Ipad, laptop apo PC. Veç kësaj ka mundësi që ata të kalojnë në varësi të përdorimit të kësaj teknologjie dhe kështu pastaj të ngecin në mësime. Veç kësaj nëse prindërit nuk janë syçelë sa duhet. Përdorimi tejmase i teknologjisë informative duke qenë të joshur për të shfrytëzuar në maksimum rrjetet sociale, qoftë për të mbajtur shoqërinë, apo për argëtim e kështu me rradhë, ajo mund të ndikojë që ata të bien pre e abuzimeve të ndryshme, pa përjashtuar edhe abuzimet seksuale të mundshme”, tha ai, për Kosovapress.
Përdorimin e rrjeteve sociale, Arifi nuk e sheh me ndikim negativ të tërësishëm.
Ai pohon se ka të atillë që monitorohen dhe e shfrytëzojnë teknologjinë për nevoja të caktuara që përkojnë me arsimin, kulturën dhe argëtimin, kryesisht informacionet qëllimmira.
“Nuk mund të themi kryekëput që është negativ, sepse ka prind të cilët janë të ndërgjegjësuar mjaftueshëm që teknologjinë ua lënë në duar fëmijëve të tyre, por i mbikëqyrin në mënyrë konstante që ata të shfrytëzojnë vetëm faqet të cilat ofrojnë njohuri të reja për ta, qoftë edhe argëtim, por pa e tepruar. Do të thotë se është shumë e rëndësishme që prindërit të kujdesen që ta monitorjnë përdorimin e teknologjisë informative nga fëmijët e tyre, sidomos të moshës së mitur”, theksoi ai.
Po ashtu, nevoja për të ekzistuar një ligj adekuat që bën përcaktimin e moshës adekuate për t’u qasur në këto rrjete, paraqet një interes të madh, por të pacaktuar deri tani. Arifi është shprehur se po të rregullohej kjo me një ligj të caktuar, do të ishte mirë, por vështirë e kontrollueshme, sepse kjo do të kishte ndikuar që fëmijët të paraqiten me moshë joreale, vetëm për t’iu lejuar qasja në rrjetin e dëshiruar.
“ Rrjetet sociale i kanë politikat e privatësisë të caktuara vetë, si facebook-u, twitter etj. Pra, ata e përcaktojnë se për të hapur një llogari duhet të plotësojnë kriterin e moshës. Mirëpo, kjo shpesh ndodh, mos të them në të gjitha rastet, që fëmijët të paraqesin një moshë më joreale. Pra, paraqiten si më të rritur, me qëllim që ta arrijnë qëllimin e tyre, të hapin një llogari në një rrjet social të caktuar. Pra, është diçka që mund të tejkalohet lehtë, pavarësisht se është e caktuar si politikë e privatësisë në rrjetet sociale. Po të rregullohej kjo me një ligj të caktuar, do të ishte mirë por është vështirë e kontrollueshme. Prandaj, është shumë e rëndësishme, prapë po e theksoj që prindërit apo kujdestarët e fëmijëve të mitur, të kujdesen për rrjetet apo faqet e internetit që këta fëmijë i përdorin në baza të përditshme”, tha ai.
Përndryshe, sot shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Privatësisë. ASK-ja ka publikuar rezultatet e anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit për vitin 2017, ku sipas këtij rezultati, del se ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në kompjuterë 61.3 përqind e tyre, përderisa 38.7 përqind e tyre janë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në asnjë lloj pajisje elektronike-kompjuterike. Ndërsa, qasje në internet nga çfarëdo lloj pajisjeje, kanë pasur 88.8 përqind e ekonomive familjare./Telegrafi/