Tri çështjet themelore që dalin nga një marrëveshje politike duhet të përmblidhen deri nga fundi i muajit gusht, duke i hapur mundësinë liderëve të partive politike që t’i japin fund krizës së thelluar në Maqedoni, përmes përcaktimit të një date për zgjedhjet e përgjithshme, njofton REL.
Fillimisht, java e ardhshme mund të sjellë edhe listën me emrat e katër anëtarëve për formimin e komisionit ‘ad hoc’ të medieve, i cili do të duhet të monitorojë punën e medieve gjatë periudhës parazgjedhore.
Në rrjedhë e sipër është edhe procesi për verifikimin e 40 mijë personave të dyshimtë në listën zgjedhore.
Ndërkohë, deri në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese duhet të deklarohet rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Prokurori Speciale, në bazë të së cilit është themeluar dhe funksionon Prokuroria Speciale Publike.
Mersel Billali, njohës i çështjeve politike, vlerëson se në aspektin formal do të jetë shumë e lehtë plotësimi i obligimeve të cilat burojnë nga marrëveshja e 20 korrikut, po shumë i vështirë do të jetë zbatimi i kësaj marrëveshje në praktikë.
“Në aspektin formal mund të ndryshohen ligjet e ndryshme njëkohësisht të ndërtohen dhe organizma të rinj për mediet, por helmimi i institucioneve për dekada me radhë nuk mund të shërohet për një afat kaq të shkurtër kohor.”
“Pra, është krijuar një kod mental i funksionimit jo demokratik të institucioneve kështu që është shumë e vështirë që gjërat të kthehen në gjendje normale. Tani do të jetë sfida kush do të jetë heroi i cili do të thotë se janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Mersel Billalli.
Përderisa Nano Ruzhin, analist politik, shprehet më optimist në realizmin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja politike sepse, siç thotë, në marrëveshje në mënyrë eksplicite janë vendosur detyrimet për të cilat janë zotuar partitë politike dhe afati kohor kur duhet kryer të njëjtat.
“Tani partitë politike janë para testit për të dëshmuar sa janë të gatshme të realizojnë atë për çka kanë arritur ujdi. Përkatësisht, në këtë fazë partitë politike ndodhen para një sfide, veçanërisht OBRM-PDUKM, e cila duhet të heq dorë nga kontrolli i pushtetit, mbase jo tërësisht, por një hap i rëndësishëm është bërë”, thotë Ruzhin.
Nëse përmbushen këto detyrime, që kanë marrë përsipër partitë politike kryesore në Maqedoni, atëherë më 31 gusht kryetarët e katër partive kryesore do të takohen për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përmes së cilave vendi synon të dal nga kriza. /Telegrafi/