Eksportet e Shqipërisë drejt Gjermanisë kanë njohur një rritje të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në vlerë eksportet drejt Gjermanisë llogariten në janar-shkurt 2018 2.334 milionë lekë, kur për të njëjtën periudhë të vitit 2017 u eksportuan 1.613 milionë lekë, transmeton Atsh.
Ndërsa eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike drejt Gjermani kanë njohur rënie prej 97 milionë lekësh për periudhën, eksportet e tekstileve dhe këpucëve sipas INSTAT janë rritur me 569 milionë lekë duke arritur në 1.359 milionë lekë në 2 muaj.
Rritje kanë njohur edhe eksportet e grupeve “materiale ndërtimi dhe metale”, si dhe “prodhime druri dhe letre”.
Gjermania me ekonominë më konkurruese të Evropës renditet partneri i tretë tregtar, ndërsa është një ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri. /Telegrafi/