Site icon Telegrafi

Rritje e rasteve me diabet në Kosovë, cilat janë simptomat, si trajtohet dhe rëndësia e kujdesit të vazhdueshëm – flet doktoresha Serhati

“Ka më shumë se 10 vjet që jam me diabet, e insulinë… nuk është bash e lehtë, por me këshilla të mjekut mirë e menaxhoj”.

Kështu nis rrëfimin e tij 77-vjeçari nga Prishtina, Xhafer Krasniqi, i cili kishte shumë informacione për sëmundjen.

Krasniqi i cili merr insulinë dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje tha për Telegrafin se nuk është aspak e lehtë ta kesh obligim që çdo ditë të marrësh insulinë.

Ai po ashtu thotë se kujdesi në ushqim dhe përdorimi i rregullt i barnave tjera ka bërë që ai ta menaxhoj mirë sëmundjen.

“Dy herë në ditë marr insulinë, në mëngjes e pasdite… nuk është e lehtë të marrësh insulinë çdo ditë, por e kam të domosdoshme… edhe në rastet kur harroj, fëmijët kujdesen e ma qesin ndërmend”, tha ai.

Krasniqi tutje thotë se e vetmja pasiguri që ndien është “kur ndonjëherë e mendon se çka mund të ndodh nëse mund të ketë mungesë të insulinës”.

77-vjeçari nga Prishtina thekson tutje se edhe kontrollet te mjeku kanë rëndësi për të. Ai thotë se kontrollet i bënë tri herë në vit, varësisht nga rekomandimi i mjekut.

14 Nëntori, Dita e ndërgjegjësimit për sëmundjen e diabetit

Por, çka është sëmundja e diabetit, si menaxhohet dhe çfarë duhet të kemi parasysh?

Endokrinologia Rreze Serhati në një prononcim për Telegrafin na njofton më shumë rreth kësaj sëmundje.

Serhati thekson se diabeti përfshin një grup të çrregullimeve të cilat ndikojnë në mënyrë se si organizmi e shfrytëzon glukozën.

“Karakterizohet nga niveli i lartë i glukozës në gjak, po ashtu shoqërohet me çrregullim të metabolizmit të yndyrave dhe proteinave”, thekson doktoresha.

Ajo tutje njofton se shkak i sëmundjes së diabetit është defekti i sekretimit të insulinës, mosveprimi i insulinës, apo të dyjave bashkë ose mungesa e plotë e sekretimit të insulinës.

Insulina është një hormon që sekretohet nga pankreasi dhe ka për detyrë që glukozën ta fut brenda qelizave të cilat e shfrytëzojnë për energji.

“Kemi disa lloje të diabetit, por në përditshmërinë tonë më së shpeshti hasim në diabetin tip 1, diabetin tip 2 dhe diabetin gestacional (diabeti i shtatzënisë).

Tutje, endokrinologia Serhati na njofton më gjerësisht për llojet e diabetit.

Diabeti tip 1 që njihet edhe si diabeti juvenil është më i rrallë (5%) dhe zakonisht haset te fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë rast pankreasi nuk prodhon insulinë, prandaj rritet glukoza në gjak. Nëse pacienti është diagnostikuar me diabet tip1 fillohet menjëherë me insulinë

Diabeti tip 2 është forma më e shpeshtë e diabetit (95% të rasteve). Në këtë rast ose nuk prodhohet mjaftueshëm insulinë ose qelizat janë insulinë rezistente dhe si rrjedhojë rritet glukoza në gjak. Ky lloj i diabetit zhvillohet tek të rriturit.

Diabeti gestacional është diabet i cili shfaqet vetëm te shtatzënat (tek gratë që përpara shtatzënisë nuk ishin diabetike).

Serhati thekson tutje se varësisht nga lloji i diabetit që ka një person shfaqen edhe simptomat.

“Varësisht nga lloji i diabetit kemi edhe fillim të ndryshëm të sëmundjes. Diabeti tip 1 mund të shfaqet për disa jave dhe ka një fillim më të furishëm. Diabeti tip 2 mund të filloj vite më parë deri sa na shfaqen simptomat klasike të diabetit”, thekson doktoresha.

Përveç simptomave klasike si tharja e gojës, etje e shtuar, uri e tepruar, urinim i shpeshte kemi edhe simptoma jo tipike për diabetin që janë: ndryshimet në lëkurë si acanthosis nigricans (një njollë e kafe  që shfaqet në rrudha ose palosjet e lëkurës, si te pjesa e pasme e qafës, nën sqetull), periodontiti apo sëmundje e shpeshtë e mishit të dhëmbëve, infeksionet e shpeshta (urinare, infeksionet e lëkurës), lodhja, pamja e turbullt.

A ka rritje të rasteve me diabet në Kosovë?

Doktoresha Serhati thotë për Telegrafin se në punën e saj të përditshme vërehet dukshëm rritja e numrit të personave me diabet.

“Po, në punën tonë të përditshme vërehet dukshëm rritja e numrit të personave me diabet. Kequshqyerja, ushqimet me hormone, jeta sedentare, si dhe një mori arsyesh të tjera, kanë bërë që numri i diabetikëve është në rritje. Vërehet rritje e diabetit tip 2 edhe te moshat e reja ku arsye kryesore është obeziteti”, thotë ajo.

E Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se bazuar në të dhënat nga “Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës dhe sistemit shëndetësor” (IKSHPK, Raporti i morbiditetit në Kosovë 2022), në vendin tonë gjatë  vitit 2022 janë regjistruar: 7302 raste të Diabetit të pavarur nga insulina (Diabeti Tip 2), prej të cilave: 2.827 raste i përkisnin gjinisë mashkullore dhe 4.475 raste gjinisë femërore.

Ndërsa, sa u përket rasteve të Diabetit të varur nga insulina (Diabeti Tip 1), janë regjistruar 2.455 raste, prej të cilave 1.011 raste të gjinisë mashkullore dhe 1.444 raste të gjinisë femërore.

“Këto të dhëna janë grumbulluar gjatë vitit 2022 në kuadër të raportimeve rreth sëmundjet kronike masovike jo ngjitëse (SJN), të njohura gjithashtu si sëmundje kronike, ndërkohë që analiza e radhës e gjendjes shëndetësore të popullatës do të përfshijë të dhënat nga viti 2023.

Sëmundjet kronike masovike jo ngjitëse (SJN), të njohura si sëmundje kronike, kanë tendencë të jenë me kohëzgjatje të gjatë dhe janë rezultat i një kombinimi të faktorëve gjenetikë, fiziologjikë, mjedisorë dhe të sjelljeve. Gjithashtu, kanë shprehur tendencë të e rritjes viteve të fundit”, thonë nga IKSHPK.

Në Kosovë insulinën e ka obligim ta sigurojë shteti.

“Pacientët që janë insulinë vartës, duhet ta kenë çdoherë këtë ilaç…”, thonë nga IKSHPK, ilaç ky vital për këtë kategori të pacientëve.

IKSHPK tutje thekson se me qëllim të ndërgjegjësimit për sëmundjen e diabetit organizon aktivitete të promovimit dhe edukimit shëndetësor, të cilat për qëllim kanë parandalimin e diabetit në nivel vendi, duke filluar nga fushatat ndërgjegjësuese siç është fushata që zhvillohet gjatë muajit nëntor çdo vit.

Lidhur me sigurimin e insulinës për pacientët me diabet nga Ministria e Shëndetësisë thanë për Telegrafin se aktualisht në stok ka insulina të mjaftueshme.

“Ministria e Shëndetësisë aktualisht ka në stok insulina të mjaftueshme, si dhe ka kontratë valide për insulina edhe për dy vitet e ardhshme për furnizim të institucioneve me insulina sipas planifikimit të tyre.

Ekzistojnë mekanizma ligjor që i nënshtrohen Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si dhe ligjit për prokurimin publik për inicim të procedurave emergjente ‘nëse ka mungesë të insulinave’, mirëpo siç potencuam MSh nuk ka mungesë të insulinave”, thonë nga MSH.

Por, a mund të ketë komplikime shëndetësore në se rast se diabeti nuk menaxhohet si duhet?

Doktoresha Serhati thekson se diabeti i pamenaxhuar shkakton komplikime të rënda.

“Diabeti i pamenaxhuar shkakton komplikime të rënda. Kjo sëmundje prek enët e vogla dhe të mëdha të gjakut, prek fijet nervore, si pasojë e tyre kemi dëmtime të syve, veshkave, zemrës, trurit. Kjo vjen si pasoje e nivelit të larta të glikemisë në gjak, vjen nga mosmbajtja nën kontroll e kësaj sëmundje, ku pos trajtimit medikamentoz 50 % varet nga kujdesi i pacientit për ushqimin që konsumon”, thotë ajo.

Sipas doktoreshës Serhati është shumë e rëndësishme që pacientët me diabet t’i përshtaten kërkesave për ndryshim të stilit të jetës.

“Duhet të marrin ushqim të shëndetshëm, të bëjnë aktivitet fizik, së paku 30 minuta ecje në 5 ditë të javës, marrja e rregullt e terapisë dhe kontroll të glikemisë”, tha ai.

Tutje endokrinologia Serhati thekson se diabetikët duhet të kenë kujdes në konsumimin e ushqimeve me karbohidrate dhe duhet të shmangen brumërat, lëngjet e gazuara.

“Preferohet buka integrale për shkak të sasisë së mjaftueshme të fibrave, pemët dhe perimet duhet të konsumohen çdo ditë, për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave. Diabetikët duhet të kenë kujdes edhe në konsumimin e yndyrave, preferohen yndyrat me bazë bimore.

Sa i përket mishit dhe produkteve të tij, preferohen mishi i pulës, mishi i peshkut ndërsa mishi i kuq maksimum dy herë gjatë javës. Proteinat janë të nevojshme çdo ditë, preferohet marrja e proteinave bimore. Qumështi dhe produktet e tij preferohen të jenë me më pak yndyrë, diku rreth 1.5% përmbajtje të yndyrës.

Rekomandohet marrja e sasive të mjaftueshme të ujit”, thotë ajo.

Doktoresha flet edhe për rëndësinë e parandalimin të kësaj sëmundje dhe veprimet që duhet ndërmarrë.

“Duhet cekur se edhe personat me rrezik për shfaqje të sëmundjes së diabetit si personat obezë, personat me histori familjare për diabet duhet të kenë kujdes për ushqimin që konsumojnë, të rrisin aktivitetin fizik d.m.th të ndryshojnë stilin e jetës.

Kjo ndihmon në zvogëlimin e mundësisë së shfaqjes së kësaj sëmundje ose të zgjasin kohën e fillimit të sëmundjes”, tha ajo.

Por, si bëhet trajtimi i sëmundjes?

Doktoresha Serhati thekson trajtimi bëhet varësisht cilin lloj të diabetit e ka pacienti.

“Kur një person diagnostikohet me diabet si trajtim fillestarë është ndryshimi i stilit të jetës. Kur kjo forme e trajtimit nuk funksionon fillohet me terapi medikamentoze, gjithsesi nëse flasim për diabet tip 2. Nëse pacienti është diagnostikuar me diabet tip1 fillohet menjëherë me insulinë”, tha ajo.

Doktoresha në fund rekomandon se për mbajtje nën kontroll të kësaj sëmundje duhet kujdes në ushqim, aktiviteti fizik, marrja e rregullt e terapisë, kontroll i rregullt i nivelit të glikemisë, kontrolle të rregullta të endokrinologjike. /Telegrafi/

Exit mobile version