Telegrafi

Rritje e pahetueshme ekonomike

Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi nga Instituti Riinvest, thotë se parametrat e lartë të varfërisë dhe papunësisë në Kosovë, tregojnë se standardi i qytetarëve nuk ka ndryshuar, pavarësisht se në ekonomi janë shënuar disa tregues pozitivë. Kemi pasur një rritje ekonomike rreth 4. 5 për qind – rritje kjo e cila nuk është ‘përkthyer’ në standardin e jetës së kosovarëve.

“Në përgjithësi, ne kemi pasur një rritje ekonomike rreth 4. 5 për qind – rritje kjo e cila nuk është ‘përkthyer’ në standardin e jetës së kosovarëve. Në qoftë se kemi rritje të çmimeve në vazhdimësi, ndërkaq pagat mbesin konstante si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat, kjo tregon se qytetarët tanë po bëhen më të varfër”, tha Abdixhiku.

Edhe sociologu Fadil Maloku nga Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike, thotë se rritja e vogël ekonomike nuk ka reflektuar në ekonominë e qytetarëve. Sipas tij shumë indikatorë, tregojnë se gjendja ekonomike është duke u keqësuar, në kuptimin që inflacioni është më i madh.

“Mund të them se studimet e fundit që ka bërë Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike çojnë në atë drejtim që shtresa apo grupimi i qytetarëve, që janë në margjina të zhvillimit dhe emancipimit të gjithëmbarshëm, të jenë në rritje e sipër. Diku rreth 22 apo 23 për qind është shtresa më e kërcënuar dhe kjo është një indikator shumë i rëndësishëm për të treguar se varfëria në Kosovë edhe më tej është duke u rritur”, shprehet Maloku.

Ekspertët thonë se indikacionet sinjalizojnë se gjendja sociale e qytetarëve nuk pritet të përmirësohet së shpejti, ashtu sikurse edhe gjendja ekonomike e përgjithshme, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve. /Rel/Telegrafi/