Site icon Telegrafi

Rritje e investimeve të huaja në Shqipëri

Eksportet shqiptare kanë shfaqur rritje, ndërsa nivelet e investimeve të huaja direkte kanë mbetur të larta, duke ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente dhe në qëndrueshmërinë e pozicionit të jashtëm të vendit.

Kështu ka deklaruar sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë me temë: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.

Sejko u shpreh se dinamizmi i sektorit eksportues dhe nivelet e larta të investimeve të huaja janë inkurajuese në drejtim të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, dhe dëshmi e kompetivitetit dhe atraktivitetit në rritje të ekonomisë shqiptare.

“Sipas statistikave zyrtare, rritja ekonomike e vendit u përshpejtua në 4.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke shfaqur një bazë të gjerë në terma të përbërësve të kërkesës agregate dhe një kompozim të larmishëm në terma të sektorëve që kanë kontribuuar në rritje”, tha Sejko.

“Raportet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare prestigjioze theksojnë se perspektivat e zhvillimit ekonomik botëror vijojnë të mbeten pozitive. Në mënyrë të ngjashme, edhe Shqipëria gjendet në një trajektore të qëndrueshme e pozitive të rritjes ekonomike”, u shpreh ai.

“Politikat e kujdesshme ekonomike që kemi ndjekur, përmirësimi i vazhduar i bilanceve të sektorit real dhe financiar, si dhe ristrukturimi në progres i ekonomisë dhe i modelit të rritjes, kanë krijuar premisat e duhura për shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe për kthimin e inflacionit në objektiv”, tha Gent Sejko.

Ai shtoi se “efektet e rritjes ekonomike kanë filluar të jenë të pranishme në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë. Pjesëmarrja në forcat e punës dhe punësimi janë rritur; norma e papunësisë zbriti në 12.4% në tremujorin e dytë të vitit; dhe pagat kanë filluar të lëvizin për lart”.

Po ashtu, vijoi Guvernatori Sejko, “rritja e kërkesës agregate ka ndihmuar në përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve shqiptare dhe ka mundësuar trendin e qartë rënës të kredive me probleme. Ky tregues zbriti në nivelin 12.9% në tremujorin e tretë, duke pothuajse u përgjysmuar nga nivelet maksimale të shënuara pas krizës”.

“Në reflektim të tij, por edhe të gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe ambientit monetar me norma të ulëta interesi të gjeneruar nga politika jonë monetare lehtësuese, sektori bankar shqiptar vazhdon të mbetet likuid, rentabël dhe i mirëkapitalizuar. Ky sektor shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të mundshme, si dhe zotëron kapitalin dhe likuiditetin e nevojshëm për të mbuluar nevojat e ekonomisë për financim”, tha Guvernatori.

Ai shtoi se “momenti pozitiv që po kalon ekonomia shqiptare përmban premisat e mjaftueshme që trendi i rritjes të vijojë dhe në të ardhmen. Zgjerimi i kërkesës agregate, ambienti i favorshëm financiar, përmirësimi i bilanceve dhe rikthimi i besimit në ekonomi, formojnë një rreth virtuoz, i cili do të mbështesë rritjen në horizontin afatmesëm.

Më tej, theksoi Sejko, “seria e gjatë e reformave strukturore – të ndërmarra apo në fazë implementimi – duhet ti hapin rrugë një rritjeje ekonomike më të shpejtë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse”.

Sejko u shpreh se organizimi i kësaj Konference në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës tregon për rëndësinë e veçantë që ka kjo Konferencë.

Gjatë kësaj konference do të diskutohet mbi kombinimin optimal të politikës monetare, zhvillimet makroekonomike dhe çështje që lidhen me stabilitetin financiar për vendet me ekonomi të vogël e të hapur në rrugën e tyre drejt integrimit të plotë ekonomik në Bashkimin Europian (BE).

Gjithashtu, konferenca synon të trajtojë edhe integrimin monetar në kuadrin e eksperiencave të vendeve të reja të BE-së dhe të eurozonës, si dhe të hulumtimeve më të fundit për qasjet e reja ndaj politikës monetare dhe stabilitetit financiar, duke marrë parasysh transformimet në BE dhe rajonin e Evropës Juglindore. /Telegrafi/

Exit mobile version