Telegrafi

Rritja ekonomike ushqen të pasurit

Në Shqipëri, të dhënat se si është e shpërndarë pasuria mes shtresave të popullsisë kanë qenë të pakta. Por disa tregues të fundit të Bankës Botërore dëshmojnë se jo të gjithë po përfitojnë në të njëjtën masë nga rritja ekonomike.

Në vitin 2002, të pasurit që zinin 10 për qind të popullsisë përfitonin rreth 22 për qind të gjithë pasurisë kombëtare.

Por që nga ajo kohë, pjesa që kjo shtresë e pasur zotëron është rritur, madje me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës, i njëjti grup të pasurish në Shqipëri zotëronte në fund të vitit 2008 plot 29 për qind të totalit të të ardhurave kombëtare, raporton Top Channel.

Kjo do të thotë se në çdo 100 lekë pasuri kombëtare, 29 lekë zotërohen nga vetëm 10 për qind e popullsisë. Nga ana tjetër, pjesa e pasurisë që zotërohet nga të varfëritë që sot janë sa 10 për qind e popullsisë, jo vetëm nuk është rritur, por ka rënë nga 3.9 për qind në vitin 2002, në 3.5 për qind në 2008.

Arsyet janë disa dhe njëra prej tyre mund të jetë edhe taksa e sheshtë. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2008 Shqipëria ishte ndër vendet me pabarazinë më të thellë në rajon. Të gjithë këto të dhëna dëshmojnë se rritja ekonomike po shoqërohet me thellimin e pabarazisë, ku të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa pjesa e të varfërve tkurret nga viti në vit. /Telegrafi/