Telegrafi

Rritja ekonomike në vitin 2014 vetëm 0.9%

Në vitin 2014 rritja ekonomike ka qenë më pak se 1 për qind. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të prezantuara nga raporti “Bruto produkti vendor tremujor TM4 – 2014” del që rritja e vlerësuar ekonomike në vitin 2014 ka qenë vetëm 0.9 për qind.

Kjo është rritja më e ulët që është shënuar që nga paslufta në Kosovë. Madje kjo bie ndesh edhe me vlerësimet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe Bankën Qendrore të Kosovës, se rritja ekonomike në vitin e ka kaluar ka qenë mbi 2 për qind, shkruan sot Koha Ditore.

Ky raport i ASK-së është bërë sipas qasjes së prodhimit dhe shpenzimeve me çmime aktuale dhe me çmime të periudhës përkatëse të vitit paraprak, bazuar në metodologjinë ESA 2010.

“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë, ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2014, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve pati një rritje prej 0.9 % krahasuar me vitin 2013”, thuhet në raportin që prezanton vetëm vlerësime të përkohshme pasi një vlerësim final është paralajmëruar për nëntorin e vitit 2015.

Me gjithë faktin që në tërë vitin 2014 ASK-ja thotë të mos ketë pasur rritje më të madhe se 1 për qind, në tremujorin e fundit të vitit rritja ka qenë më e theksuar. /Telegrafi/