Telegrafi

Rritja ekonomike këtë vit 5.1 %

Selim Thaçi, drejtor i Departamentit të Makroekonomisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave tha se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 5.1 për qind, me kontribues kryesorë konsumin dhe investimet. Sipas tij, këtë vit do të ketë edhe stabilizim të çmimeve, ndërsa deri në fund të vitit inflacioni do të jetë 1.1. për qind.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit tha se realiteti ekonomik është ndryshe nga statistikat, të cilat shpesh nuk janë të besueshme. Ai potencoi mungesën e vendeve të punës për të rinj dhe përmendi rënien e investimeve. Sipas Shahinit, sektori privat në Kosovë është në gjendje shumë më të vështirë sesa paraqitet. Ndërkaq, biznesi më i mirë në Kosovë tha se janë bankat. Ai, po ashtu, kërkoi që qeveria t’i zbatojë politikat e reciprocitetit me të gjitha vendet, ndërkaq kërkoi ndërrim politikash në sektorë të tjerë.

“Është e pakuptimtë që për një kilogram duhan të paguhet TVSH sa për një kilogram bukë, ose për një litër alkool të paguhet sa për një litër qumësht. Këto politika duhet ndryshuar”, tha Shahini.

Gazetari i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, tha se shqetësues është fakti se rritja ekonomike nuk po reflektohet në përmirësimin e jetës së njerëzve. Ai përmendi nivelin e lartë të papunësisë dhe të varfërisë.

Moszbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s u konsiderua çështje problematike. Flamur Keça, drejtor i Departamentit të Trgtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se me bilancin tregtar askush s’mund të jetë i kënaqur. “Ky bilanc është negativ dhe ka ndikim negativ edhe në rritjen e GDP-së”, tha ai.

Në konferencë folën edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, të cilët shtruan nevojën që për çështje të tilla të rëndësishme duhet jo vetëm debatuar, por edhe ndërmarrë veprime konkrete. /telegrafi/