Telegrafi

Rritja ekonomike e Shqipërisë do të bjerë me 1 pikë

. BERZH ka publikuar të dhënat për ekonomitë e të gjitha vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për rritjen ekonomike të tyre që prej vitit 2006. Pak kohë më parë në lidhje me rritjen e ekonomike të vendit tonë hodhi dyshime edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili tha se vendi nuk ka mundësi të ketë 6 % rritje ekonomike vitin që vjen.

Fondi tha se Shqipëria do ta ketë të vështirë të kapë nivelin e 4 %. Tani është Banka Evropiane për Zhvillim, një investitor mjaft i rëndësishëm, i cili paraqet të dhëna që rrëzojnë deklaratat e qeverisë shqiptare dhe të ministrit shqiptar të Financave në veçanti.

Në të vërtetë, një prej këshilltarëve të kryeministrit tha pak ditë më parë se rritja ekonomike e vendit mund të shkojë deri në 12 %, duke dëshmuar ajrin e rëndë që ndan realitetin nga të dhënat e këtyre zyrtarëve. Vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia apo edhe Bosnjë-Hercegovina do të mund të ruajnë për vitin që vjen të njëjtin nivel të rritjes ekonomike që kanë këtë vit.

Kështu, Mali i Zi, sipas BERZH, do të rritet ekonomikisht me 5 % për vitin 2009, Maqedonia do të rritet me 4,7 % dhe Bosnjë-Hercegovina do të rritet me 4,5 %. I vetmi vend që do të ulë me 1 pikë përqindje ekonominë e tij vitin që vjen do të jetë Shqipëria.