Ekonomia e Kinës është rritur më shpejt se që ishte planifikuar në tre muajt e parë të këtij viti, ka raportuar BBC.
Bazuar në të dhënat e publikuara të mërkurën, ekonomia është rritur për 6.4 për qind në çerekun e parë në krahasim me periudhën e njëjtë një vit më parë.
Pekini ka arritur këtë gjë duke bërë ndryshime në taksa, si dhe duke tentuar që të mos rrisë borxhet.
Aktualisht, ekonomia e dytë më e madhe në botë përballet me kërkesë më të vogël të produkteve të saj, edhe për shkak të konfliktit tregtar që ka me Shtetet e Bashkuara.
Normat e rritjes ekonomike të Kinës janë duke u shikuar me shumë interes kohën e fundit, për shkak të ndikimit që mund të ketë ky shtet në gjithë ekonominë globale, raporton Rel.
“Nuk mund të mohohet se ekonomia e Kinës ka përfunduar çerekun e parë me shifra të larta”, ka thënë ekonomisti, Julian Evans-Pritchard.
Megjithatë vetë Pekini është duke parashikuar një rritje më të vogël këtë vit, përkatësisht 6 për qind në krahasim me 6.5 për qind sa kishte synuar më 2018.
Qeveria e Kinës është duke tentuar të lirohet nga eksportet në rritje dhe të varet më shumë në konsum të brendshëm. /Telegrafi/