Telegrafi

Rritja e Vuçiqit, si rënia e Milosheviqit!

Fitorja absolute e Partisë Përparimtare Serbe, me në krye Aleksandër Vuçiqin, në zgjedhjet e parakohshme të 16 marsit, tregon qartë mentalitetin e mbrapshtë të qytetarëve serbë, të cilët assesi të lirohen nga sindromi i ekstremizmit, ultranacionalizmit e “izmave” të tjerë, me të cilat ata po ia mbyllin vetes rrugët e integrimeve evropiane.

Fitorja spektakulare e Vuçiqit gjithashtu do ta çojë Serbinë në një qorrsokak politik, në një kolaps ekonomik dhe në trazira sociale, nga të cilat do të pësojnë të gjithë ata që me votën e tyre ia mundësuan këtij ultranacionalisti – i cili është në kundërshtim demokracinë perëndimore, duke e futur popullin serbë në një armiqësi me botën.

Kush ka pasur rast ta përcjell fushatën elektorale të Vuçiqit dhe diskutimet e tij të mëhershme në Parlament, s’ka se si të mos çmendet nga skizofrenia e tij për vrasjen e mijëra myslimanëve, pastaj për kërcënimet ndaj ndërkombëtarëve etj. Pavarësisht nga fjalori i tij luftënxitës e revanshist, qytetarët e mbështetën me votën e tyre në sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Populli serb i verbëruar nga nacionalizmi i demoduar, që i ka shkuar prapa kasapit të dikurshëm të Ballkanit, satrapit Milosheviq, po i jep mbështetje Sheshelit në Tribunalin e Hagës dhe po e shpërblen me votën e besimit Vuçiqin, krejt në emër të një patriotizmi verbal.

Ky popull ka nevojë për një vetëdijesim politik, ngase si mund të quhen patriotë këta politikanë që më së shumti e dëmtuan Serbinë, e cila për shumë vjet ka për t’i hequr sanksionet e një politike përçudshme e prapanike.

A nuk është po ky Vuçiqi i cili për muaj të tërë e mbajti popullin e tij në Brigada në veri të Kosovës dhe në fund i tradhtoi duke u thënë se kryeministër e keni Thaçin e jo mua!

A nuk është po ky Vuçiqi i cili dikur thoshte hapur për ndërkombëtarët se po ua fusin nga një “bander” nga prapa e këta nga frika po thonë: O sa mirë po na rrinë!

Por, sido që të jetë, kjo rritje e Vuçiqit do të jetë në favor të shqiptarëve, ngase, ai de fakto e ka njohur Kosovën me Marrëveshjen e Brukselit e sidomos me menaxhimin e integruar të kufijve. Ndërsa, me fitoren bindëse do ta njoh Kosovën edhe de jure. Fitorja absolute e partisë së Vuçiqit, në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ia mundëson atij ta ndërrojë Kushtetutën e Serbisë, duke e korrigjuar atë me heqjen e Kosovës nga ajo.

Është një karakteristikë e politikës serbe. Me këso premtime është rritur Milosheviqi, dhe me këso dështime ka ra, ndërsa për Vuçiqin do të vlejë edhe një formulë më e keqe si ajo e Berluskonit në Itali, e Sadamit në Irak, e Gadafit në Libi etj. gjithnjë me shprehjen tonë popullore shumë të qëlluar: Soni harabatë!

E gjithë kjo na del se tani Vuçiqi është për urim, por fundin do ta ketë me ngushëllim.