Site icon Telegrafi

Rritja e rasteve dhe e viktimave mbyll një rajon grek

Greqia konfirmoi dje 453 raste të reja me coronavirus dhe 13 vdekje, tha Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY).

”Për këtë arsye, rajoni i Kozanit në Greqinë Veriore do të kalojë nën nivelin 4 të alarmit, më i larti i këtij lloji, pas një rritjeje të rasteve aktive të pandemisë”, deklaroi Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, raporton ATSh.

Masa hyri sot në fuqi në orën 06:00 dhe do të zgjasë deri më 29 tetor duke përfshirë një bllokim të përgjithshëm.

”Përdorimi i maskës është i detyrueshëm kudo, në ambiente publike dhe private. Ndalohen gjithashtu mbledhjet si në hapësirat private dhe ato publike. Banorët e rajonit të Kozanit nuk mund të udhëtojnë përtej kufijve të rajonit”, theksuan autoritetet.

Ndër të tjera, të gjitha vendet e argëtimit, vendet arkeologjike, mjediset e lojërave, gjykatat dhe zyrat e regjistrit të pasurive janë të mbyllura, ashtu si të gjithë restorantet dhe furnitorët e ushqimeve përveç seksioneve të shpërndarjes.

Shkollat mund të qëndrojnë të hapura vetëm nën masa të rrepta, duke përfshirë përdorimin e maskave, ndërsa studimet universitare mund të zhvillohen vetëm në internet.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias theksoi se zona ka mbi 220 raste aktive dhe 554 persona duhet të qëndrojnë në karantinë.

Exit mobile version