Telegrafi

Rritja e rasteve me COVID-19, të burgosurit nuk janë prekur nga virusi

Përkundër rritjes së rasteve me coronavirus në burgjet e Kosovës situata vazhdon të jetë e qetë. Përveç një të burgosuri që kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, deri tani nuk ka raste të reja të infektimit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi.

Ai ka thënë se të burgosurit vazhdojnë të kenë vizita familjare, por që vikendet ende nuk i kanë lejuar.

“I vetmi rast që ka dal pozitiv me coronavirus ka qenë me datën 24 qershor dhe ai e ka marrë virusin nga një zyrtar, të burgosurit tjerë kanë dal negativ. Situata është e qetë, kanë vizita familjare, kanë telefonata dhe biseda në Skype. Por për shkak të virusit ende nuk i kemi leju vizitat”, theksoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi

Thaçi shtoi më tej se i burgosuri i cili kishte rezultuar pozitiv tashmë është kthyer me të burgosurit tjerë, dhe se gjendja e tij është e mirë.

Ndryshe, që  nga paraqitja e rasteve të para (13 mars) e deri tani në Kosovë janë infektuar 2 mijë e 991 persona, 1 mijë e 644 prej tyre janë shëruar kurse raste aktive vazhdojnë të jenë 1 mijë e 293.

Nga virusi COVID-19, në vendin tonë kanë humbur jetën 56 persona, të cilët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese. /Telegrafi/