Telegrafi

Rritja e rasteve me COVID-19, ndalohen sërish vizitat familjare dhe vikendet për të burgosurit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se pas rritjes së rasteve me COVID-19, janë ndaluar sërish vizitat familjare, vizitat e organizatave joqeveritare dhe vikendet për të burgosurit.

Në njoftim thuhet se kjo ndalesë fillon së zbatuari nga data 21.10.2020, e deri në një vendim tjetër.

“Si alternativë në të gjitha institucionet korrektuese do mundësohen telefonatat me të shpeshta dhe sistemi i komunikimit virtual përmes SKYPE sipas procedurave institucionale. Po ashtu, për shkak të ndalimi te përkohshëm të vizitave, pastrimi i rrobave për të burgosur do të organizohet në Institucione”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga ky vendim përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit rasteve të gjykimit, të cilat janë në zhvillim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin e gjerë rreth hapave në vazhdim”.

Ndryshe, në Kosovë është duke vazhduar të rritet numri i personave të infektuar me coronavirus, vetëm në 24-orët e fundit janë konfirmuar 118 raste të reja./Telegrafi/