Kosova ditëve të fundit po përballet me numër të lartë të infektuarve me COVID-19. Kjo ka bërë që disa shkolla në vend të kalojnë në mbajtjen e mësimit online, pas paraqitjes së rasteve të infektimit të nxënësve me virus.
Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2021/22 ka filluar më 10 janar, ndërsa deri tani shumë nxënës janë prekur nga COVID-19.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është shqetësuese rritja e rasteve më coronavirus në institucionet arsimore.
Megjithatë, Jasharaj thotë se mësimdhënësit janë të gatshëm të punojnë edhe online.
“Është shumë shqetësuese kjo ngritja e rasteve në nivel vendi, por fatkeqësisht kemi raste që po rriten edhe në institucione arsimore. Mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se janë të përkushtuar që mësimin ta mbajnë në institucionet arsimore, pra me prani fizike, por gjithashtu ata janë deklaruar se do të mobilizohen edhe janë të gatshëm edhe për versione të tjera, por që për këtë vendos Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arismit”, është shprehur ai.
Kreu i SBASHK-ut thotë se Task Forcat nëpër shkolla janë duke e përcjellë gjendjen sa i përket coronavirusit.
“Ajo çfarë dihet është se task forcat nëpër shkolla janë duke e përcjell gjendjen dhe i kanë rekomandimet se si duhet vepruar në bazë të numrit të prekurve. Uroj mos të na shtohen këto raste me coronavirus brenda shkollave, sepse pastaj duhet menduar MASHT-i edhe për forma të tjera të punës. Sidoqoftë ne do të jemi të gatshëm nëse vendoset për të punuar në mësim online”, thotë Jasharaj, për Telegrafin.
Mirëpo, Jasharaj shtoi tutje se mësimi online është më i vështirë, për shkak se jo të gjithë janë të pajisur me pajisje teknologjike.
“Edhe pse është dëshmuar se është mësim goxha i vështirë, aq më tepër kur shteti ynë nuk ka bërë shumë për shkolla që t’i furnizojë me pajisje teknologjike. Mësimdhënësit kanë probleme, sepse një pjesë e tyre duhet të huazojnë laptopë. Po ashtu është problem edhe për shkak të dimrit, sepse ka prej tyre që e kanë vetëm një dhomë me ngrohje dhe është problem që të realizojnë procesin mësimor. Po ashtu, disa nxënës që jetojnë në kushte të vështira nuk kanë telefona të mençur, apo laptopë. Do të ishte më mirë që mësimdhënësit të punojnë në shkolla, task forca pëndryshe do të veprojë dhe mësimdhënësit do të veprojnë ashtu si të merret vendimi”, ka theksuar Jasharaj.
Ndryshe, në mësimin online ka kaluar shkolla “Ismail Qemali” në Prishtinë dhe tri shkolla tjera në Gjakovë.
Vetëm në 24 orët e fundit në vend janë konfirmuar 720 raste të reja me coronavirus, dhe një person ka humbur jetën nga virusi. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK në vazhdimësi është duke bërë thirrje që qytetarët të respektojnë masat antiCOVID, dhe të vaksinohen kundër virusi.
Ndërkaq, Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka njoftuar se në trajtim mjekësor janë 90 pacientë nga Covid-19. Prej tyre, 52 të konfirmuar me Covid-19 pozitivë dhe 38 të tjerë post- Covid-19.
ShSKUK ka treguar se me oksigjeno-terapi janë 34 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë 2 pacientë me maskë oksigjeni. /Telegrafi/