Telegrafi

Rritja e pagave pa pëlqimin e FMN-së

Udhëheqësi i misionit të FMN-së Costas Christou, tha se diskutimet për buxhetin kanë avancuar por nuk janë përmbyllur gjatë kësaj vizite.

“Një mision i stafit të FMN-së vlerësoi performancën ekonomike dhe atë të sektorit financiar, dhe mbajti diskutime mbi draft-buxhetin për vitin 2011, si pjesë të shqyrtimit të parë të Aranzhmanit Stand-By. Diskutimet mbi buxhetin e vitit 2011 kanë avancuar, por ato nuk mund të përmbylleshin gjatë vizitës së misionit dhe do të vazhdojnë në periudhën në vijim”, theksoi ai në një deklaratë për shtyp.

Sipas deklaratës, njëra prej çështjeve të mbetura është rritja substanciale në shumën e pagave të sektorit qeveritar që parashihet në këtë draft-buxhet. Kjo rritje nuk është në përputhje me objektivat e programit SBA.

“Rimëkëmbja ekonomike është në rrugë të mbarë kundrejt një rritjeje ekonomike dhe
kreditimit të sektorit privat. Rritja reale ekonomike pritet të arrijë 5.5 për qind në vitin 2011”, tha Christou.

Sipas tij, ka shenja inkurajuese se, përkundër një trendi të përkeqësuar në kreditë jo-performuese, sektori bankar mbetet stabil dhe me kapital të mjaftueshëm në përgjithësi. /Telegrafi/