Ish-ministri shqiptar i Financave, Arben Malaj ka folur sot për planin e qeverisë për rritjen e pagave si dhe planin e bërë publik nga kryeministri Edi Rama për rritjen e pagës mesatare në 900 euro brenda dy viteve.
Në një intervistë për Euronews Albanai, Malaj tha se është e rëndësishme të sqarohet burimi i fondit që do të shkojë për rritjen e pagave ose në të kundërt diçka e tillë nuk mund të realizohet.
Sipas ish-ministrit socialist, mund të ndodhë si me qeverinë e Greqisë, që për shumë vite jepte shpërblime të majme dhe në momentin që vendi ra në krizë sepse u rrit kostoja e punës dhe nuk kishte produktivitet, atëherë kërkesa e parë që bëri FMN dhe Banka Qendrore Evropiane për të ndihmuar Greqinë të dilte nga kriza ishte kthimi pas, pra shkurtimi i këtyre shpërblimeve.
“Nëse nuk i kemi kapacitetet nuk shkojmë dot në një rritje të tillë. Duhet sqaruar burimi, për mua është i paqartë sepse është bazuar vetëm tek të ardhurat nga inflacioni, nuk është bazuar se u lirua baza e të ardhurave, nuk janë rritur të ardhurat se doli pusi që tha kryeministri. Janë të ardhura nga inflacioni, janë të ardhura varfëruese”, sqaroi Malaj. /Telegrafi/