Java Ndërkombëtare e Njeriut me Shkop të Bardhë, një iniciativë globale që daton që nga vitet e 30-ta, ka gjetur mbështetje në Kosovë që nga vitet e 80-ta.
Sipas kryetarit të Shoqatës së të verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, kjo javë përkujton dhe thekson rëndësinë e Shkopit të Bardhë si një mjet pavarësie për komunitetin e të verbërve, dhe ka për qëllim të sensibilizojë opinionin publik për nevojat dhe të drejtat e këtij komuniteti.
Spahiu gjithashtu thekson rolin e Shkopit të bardhë në jetën e përditshme të personave me dëmtime në shikim.
“Java Ndërkombëtare e Njeriut me shkop të bardhë daton qysh në vitet e 30-ta. Në Kosovë, Java Ndërkombëtare është mbajtur prej viteve të 80-ta. Shkopi i Bardhë është një mjet i cili pavarëson komunitetin e të verbërve për lëvizje të lirë në infrastrukturë dhe në vende publike”, tha ai, duke theksuar se shkopi i bardhë është mjet sinjalizues që një person është i verbër.
Ai potencon se në kuadër të kësaj jave, e cila manifestohet në të gjithë botën, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve në Gjilan ka organizuar një sërë aktivitetesh me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit publik.
Këto aktivitete përfshijnë punëtori me institucione dhe organizata joqeveritare për të adresuar çështjet që prekin këtë komunitet.
“Në kuadër të javës ndërkombëtare e njeriut me Shkop të Bardhë, e cila manifestohet në të gjithë botën, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve mban disa punëtori me institucione, organizata joqeveritare të cilat përmes debateve dhe punëtorive kanë për synim kryesor sensibilizimin e opinionit për vlerat dhe rëndësinë e kësaj jave. Në kuadër të kësaj kemi pasur disa herë kampanja dhe konferenca të cilat kanë qenë të suksesshme në krahasim me disa vende në Gjilan”, theksuan përfaqësuesit.
Megjithëse sfidat për integrimin e personave të verbër në tregun e punës mbeten të mëdha, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve ka arritur të punësojë disa prej anëtarëve të saj në sektorin publik dhe privat.
“Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve, në bazë të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të cilët janë për tregun e punës, aktualisht janë të punësuar dy qytetarë të verbër në sektorin publik, gjegjësisht në Spitalin Regjional të Gjilanit, ndërsa në sektorin privat i kemi të punësuar vetëm tre qytetarë. Komuniteti i të verbërve për tregun e punës aftësohet edhe në qendrën burimore për të verbrit ‘Xheladin Deda’, në Pejë”, tha ai.
Me një numër anëtarësh që arrin në qindra persona, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve në Gjilan përballet me një detyrë të madhe në mbështetjen dhe përfshirjen e këtyre individëve në shoqëri.
“Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve aktualisht ka diku rreth 623 anëtarë, por për shkak që raporti ka dal më 30 shtator dhe vetëm në Komunën e Gjilanit janë 479 qytetarë të verbër dhe me dëmtime në shikim, të cilët janë të ndarë në tri kategori”, u shprehën zyrtarët e Shoqatës.
Përveç aktiviteteve të saj të shumta, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve është krenare për ekipin e saj të Golballit, një ekip që ka dominuar në këtë sport për 15 vite me radhë.
“Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve përveç aktiviteteve, vlen të theksojmë se e kemi edhe ekipin e Golballit, i cili për 15 vite me radhë është kampion i kësaj loje,” përfunduan ata. /ArjetaMaka/.