Gjatë së martës në Kosovë u regjistruan dy viktima nga Covid 19. E rritja e numrit të rasteve të infektimit me këtë virus ka bërë që të rritet interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinën. Mirëpo interesim i madh vërehet te personat mbi 60 vjet që kryesisht marrin dozën e katërt të vaksinës. E nga Ministria e Shëndetësisë nuk përjashtohen një shtrëngim i masave nëse vazhdon trendi i rritjes së infektimeve.
Dy persona humbën betejën me Covid 19 gjatë ditës së martë.
E rritja e numrit të infektimeve gjatë ditëve të fundit ka shtuar fluksin për vaksinim të qytetarëve në QKMF në Prishtinë.
Megjithatë interesim më i madh po vërehet te qytetarët në moshë të shtyer.
Një ndër ta është edhe Azem Kllokoqi i cili thotë se kjo është doza e katërt që po e merr, pavarësisht që asnjëherë nuk u infektua me Covid 19.
‘I kam marrë rregullisht trijat, kjo është doza e katërt. Unë nuk kam pasur virus e tash e mora edhe të katërtën e ta shoh se qysh po reagon”, ka thënë Kllokoqi.
E së bashku me të shoqen dozën e katërt të vaksinës e mori edhe Ejup Brahimi.
“Në bazë të mjekëve që i pyeta e mora bashkë me të shoqen, e ishalla na bëjnë hajër, kjo është doza e katërt që e mora”, është shprehur Brahimi.
Mjeku nga kjo qendër Naim Sveçla thotë se fluksi i qytetarëve që dëshirojnë të vaksinohen është rritur.
‘Grupmosha tash që është duke u vaksinuar është mbi 60 vjet, në katër muajt e fundit. Njëkohësisht jemi duke e kryer edhe dozën për moshën mbi 12 vjeçare… Këto ditë shihet një rritje e fluksit të pacientëve, sot kemi pas deri në ora 13 mbi 70 persona”, ka theksuar Sveçla.
E nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje për vaksinim të qytetarëve si dhe bartje të maskës brenda ambienteve të mbyllura.
Të gjithë trupat relevante në gatishmeëri dhe reagim ndaj COVID-19 janë në konsultime të vazhdueshme dhe kanë ngritur edhe shkallën e mobilizimit. Masat aktuale në fuqi, rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj vaksinimin. Ndryshimi eventual i masave do të dal nga rekomandimet e ekspertëve. MSH, u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse kjo është masa më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë njoftohet për 2184 raste aktive të infektimit me Covid 19 në nivel vendi./RTV Dukagjini/