Site icon Telegrafi

Rritja e gjedheve, fitimprurëse për blegtorët

Për blegtorin Shaban Morina, tashmë pothuajse është bërë traditë kultivimi i gjedheve. Ai e sheh ndër sektorët më fitimprurës të bujqësisë mbajtjen e tyre për mish. Ndonëse ai thekson se kjo punë kërkon përkushtim, megjithatë shprehet tejet i kënaqur nga profiti i veprimtarisë së tij. “Të jetosh në fshat e të mos merresh me bagëti për mua është absurde. Unë nuk bëjë punë tjetër përveç kujdesit për “bikat” e mi. Pavarësisht se kërkojnë pak më shumë përkushtim, në fund po më shpërblen kjo punë. Përfitimet janë të mëdha dhe sado pak me kultivimin e tyre po krijojmë edhe kushte më të mira në familje”, thekson Morina.

Për të, sezoni më fitimprurës është tani, nga tetori e deri në mesin e janarit. Sidomos gjatë festave të fund vitit kur mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë. “Në pranverë ne i blejmë dhe gjatë tërë verës përkujdesem në mënyrë intensive për ta. Të gjithë i mbajmë me misër, silazh dhe ushqim tjetër nga fusha e kullosat që i kemi. Nuk i lëshojmë në natyrë shumë, por ajo që dua të them është se këta kanë mish natyral. Nuk përdorim kurrë njëherë ndonjë preparat ashtu siç po dëgjoj nganjëherë për gjëra të tilla. Tashmë ne kemi filluar edhe t`i shesim sepse njerëzit konsiderojnë se në këtë kohë mishi është më i lirë sesa kur ofrohet fundi i vitit. Por, puna më e madhe për ne është kur të vijnë kurbetçarët, atëherë këta shiten më shumë sepse është edhe fundi i vitit”, tha Morina.

Blegtori Njiazi Latifaj thekson se nuk është shumë problematike rritja e gjedheve në Kosovë, pasi sipas tij, eksitojnë kushte shumë të përshtatshme për këtë veprimtari. “Kam rreth 10 hektarë, që i kam marrë edhe me qesim dhe i kam krijuar të gjitha kushtet me u marr me këtë veprimtari. Tërë ushqimin e nxjerri nga arat e mia, duke përfshirë misër, silazh, bari, jonxhë dhe nuk kam shpenzime shumë të mëdha. Në fund më shpërblehet i tërë mundi që bëjë për ta. Një gjedh e shes deri në 2 mijë euro, varësisht nga pesha që kanë dhe kjo nuk është pak. Çdo dimër unë i shes së paku pesë prej tyre dhe po ta llogarisësh me çmim prej 2 mijë euro për pesë që i shes, bëjnë 10 mijë euro. Këtë shumë e pjesëtojmë me 30 për qind të shpenzimeve që i bëjë për ta, e që nuk bëjë shpenzime më shumë se 3 mijë euro dhe në fund përfitimi është mjaft i mirë, sepse 7 mijë euro nuk t`i falë askush”, thekson Latifaj.

Ai sqaron se tregun për shitjen e tyre e gjen krejtësisht në Kosovë, deri sa kafshët i shet në treg të bagëtive, por në disa raste edhe në shtëpi.

Ndryshe, sektori i blegtorisë, thënë më konkretisht majmëria e viçave përkrahen edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me 700 mijë euro përkrahen blegtorët që merren me trashjen e viçave si dhe ata që merren me rritjen e zogjve për mish, duke investuar në ndërtimin e fermave për majmëri dhe në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat ekzistuese. /FermaIme/Telegrafi/

Exit mobile version